Të shpëtojmë PS-në njëherë e mirë, kjo është çështja!
Gazetari shpesh ka pyetur veten: çka do të ndodhte nëse PS do të kishte funksionuar si një parti e mirë në fazën e parë të pushtetit (1997-2001)? Ai beson se ajo do të ishte një parti e intelektualëve mendjendritur, atdhetarëve dhe idealistëve që kërkonin përkushtimin qytetar për përdorimin e Shqipërisë drejt standardeve europiane.

Larg milleve të patetizmit tradicional që na karakterizon jo rrallë në shqiptarët, sidomos militantët e ngjyrave dhe të hekurave të ndryshme politike, miqësisht më thoni: A do t’ikishim përdorur vallë këto situata kaq dramatike, siç po ndodh sot, ku përgjegjësia kryesore bie tërësisht mbi partinë në pushtet, nëse kjo parti do të kishte funksionuar si një herë e mirë, sidomos në fazën e parë të provës së saj si parti në pushtet (1997-2001)?!
Ua them me bindje e mëse i sigurt: kurrë e kurrës!
S’mund të ndodhin, sepse ajo ishte partia e intelektualëve mendjendritur, atdhetarëve dhe idealistëve, që mbi gjithçka vinin ndjesinë shpirtërore dhe përkushtimin qytetar për përdorimin e Shqipërisë drejt standardeve europiane, begatine dhe qetësinë shpirtërore të bashkëkombësve të tyre!
Ajo ishte partia e Nanos, Pellumbit, Dokles, Rukës, Meksit, Hajdaragës, Ndrekos, Dades... dhe deri te të rinjtë idealistë si Majko, Zela, Meta etj.; gjithë asaj gjeneratës të pakrahasueshme. Madje, do ta fyeja atë gjeneratë sikur të guxoja të bëja qoftë edhe një paralelizëm të rastit me bandat e sotme që po qelbin ambientet e SPAK-ut!
Kam pasur fatin që, si gazetar i ZP-së, të ndiqja nga afër dhe të pasqyroja në faqet e saj aktivitetin e strukturave socialiste të Qarkut të Korçës, me një anëtare të admirueshme dhe idealizëm të pashoq, siç ishin vetëm socialistët (por edhe demokratët e asaj periudhe). Pse jo, ata ishin të pajisur edhe me një intelekt tradicional, disi më të spikatur se të tjerët, në kohët më të vështira të së majtës shqiptare, atëherë kur pushtetin e idealistëve demokratë një i pashpirt e i papërgjegjshëm, i identifikuar tashmë si misionari i së keqes së këtij vendi, si Sali Berisha, e kishte futur në hullinë e abuzimit total ndaj opozitës.
...E më vonë, në kohën e opozitës së dytë, për rreth gjashtë vjet, si drejtues i PS-së në rrethin!
Por ju them me përjashtim e me sinqeritetin që më karakterizon, sidomos kur flas për partinë e idealeve të mia, se ajo PS ishte dhe do të mbetet partia më demokratike në historinë e pluralizmit shqiptar, sidomos për vlerat e jetës së brendshme dhe mënyrën se si funksiononte, krejtësisht tjetërme me ato të paraardhësve të saj, dikurme, PPSH-së!
Që të merrje atëherë një post drejtues në PS, do të të nenshtroheshe votëbesimit të një konference në bazë rrethi, me 400-500 delegatë, nga e cila do të dilnin edhe strukturat drejtuese: Komiteti dhe Kryesia. Në to nuk mund të bente pjesë kushdo, por gjithnjë emra intelektualësh e njerëzish që bënë diferencën, si brenda partisë së tyre, ashtu edhe me idealizmin e tyre.
Naltmadhëria e tij, strukturat drejtuese dhe gjithë atë përvojë shumëdimensionale, si të vetmet vlera jetike për ekzistencën e një force politike që pretendon pushtet e qeverisje, sidomos në terren, i ka zëvendësuar me të ashtuquajturit përfaqësues politikë të qarqeve (!).
...Ose, thjesht, me ca “Ali-Kadinj”: vetë i Madhi në miniaturë, që, me një falsitet të pashëmbullt, zëvendëson gjithë atë makineri politike të shtrirë në çdo cep të lagjes, qytetit, fshatit, bashkisë e qarkut!
Atëherë, pikërisht këto struktura të bazë kishin kompetencë të plotë për identifikimin dhe përzgjedhjen e individëve të përgjegjshëm e me integritet të spikatur për të drejtuar strukturat e pushtetit. Sot, prej 13 vjetësh, ato janë kthyer në kufoma që vetëm regjistrinë e kanë, dhe, në fakt, janë zëvendësuar me të ashtuquajturit patronazhistë, kryesisht mercenarë të administratës, të cilët jo rrallë ia nxjerrin imazhin të ashtuquajturës Rilindje!
Fatkeqësisht, sot, sidomos gjatë konfigurimit të pushtetit të radhës, kanë fituar terren e pushtet të plotë teori dhe praktikë: merr nga rruga dhe ngjite në krye!
Merr nga rruga dhe bëje ministër... ministër!
Merr nga rruga dhe bëje drejtor!
Merr nga rruga dhe bëje prefekt, kryetar qarku apo kryetar bashkie!
Merr nga rruga dhe fute në zarfin e garantisë së plotë, sidomos për deputetë e deputetë, njerëz fare ordinerë... madje edhe nga ajo kategori që s’ka pasur asgjë të përbashkët me të majtën tradicionale!
A ka më skand!