Kryepeshkopi Joani: Shqipëria është e të gjithëve dhe të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj
Kryepeshkopi Joani ka dhënë një mesazh për situatën aktuale në Shqipëri, duke lutur që të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit.

Kryepeshkopi Joani ka dhënë një mesazh për situatën aktuale në vend në përfundim të Liturgjisë Hyjnore të ditës së sotme dhe leximit të një deklarate të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Ai bëri lutje që të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve të marrin vendime të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. “Lutemi që Perëndia t’i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve. Të gjithë ata që banojnë këtu, janë pjesë e saj dhe të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Prandaj, i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura dhe shpresojmë që lutjet e të drejtëve Perëndia do t’i dëgjojë. Shqipëria është e të gjithëve”, tha Kryepeshkopi.