Kostoja e një zgjidhje politike të katrahurës
Pamfleti argumenton se refuzimi i Edi Ramës për një zgjidhje politike ka sjellë Shqipërisë një kosto të rendë, duke i bërë vendin më të pasigurt, kaotik dhe të ekspozuar ndaj zhvillimeve të pakontrollueshme.

Gjashtë ditë përplasje kanë treguar se kriza nuk zgjidhet me heshtje dhe polici. Shqipëria i duhet një proces politik përpara se zjarri të dalë përfundimisht jashtë kontrollit. Në ditën e gjashtë të një përplasjeje të egër civile në Shqipëri, Edi Rama vazhdon të refuzojë çdo hap prapa. Kryeministri nuk ka bërë asnjë lëvizje që mund ta ndryshonte vendin drejt një procesi politik. Ky refuzim i majtancës, përkatësisht i Edi Ramës, i ka sjellë Shqipërisë një kosto të rendë: djegien e Tiranës.
Rrugët drejt një zgjidhjeje politike janë të shumta. Rama mund të nisë konsultimet me partitë për hapjen e një procesi që çon drejt zgjedhjeve të parakohshme, brenda një afati të përcaktuar. Një tjetër rrugë mund të jetë tjerheqja e tij dhe caktimi i një kryeministri tjetër nga Partia Socialiste, i cili nuk mbart të njëjtin ngarkesë polarizuese. Për një pjesë të opinionit, Rama është kthyer në burimin kryesor të konfliktit dhe të refuzimit politik.
Një proces institucional do të kushtonte vendit shumë pak se vazhdimi i përplasjes në rrugë. Mahisja e situatës dhe lejimi i tensionit që rritet çdo ditë e bën Shqipërinë më të pasigurt, më kaotike dhe më të ekspozuar ndaj zhvillimeve të pakontrollueshme. Edi Rama nuk mund ta përballojë vetëm këto kriza, sepse ai është edhe shënjestra kryesore e protesteve. Çdo ndërhyrje e tij e drejtpërdrejtë e shton tensionin dhe i hedh benzinë zjarrit që ka përfshirë Tiranën.
Në skenë duhet të hyjnë institucione dhe autoritete që mbartin më pak ngarkesë politike. Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit, përfaqësuesit fetarë dhe figura publike me besueshmëri mund të ndërhyjnë për uljen e tensioneve dhe hapjen e dialogut. Zgjidhja nuk duhet të vijë nga rruga dhe as nga sheshi. Institucionet duhet ta ndërtojnë atë përmes akteve konkrete dhe një proces me afate të qarta.
Nëse shteti vendos të përdorë masa të forta ndaj protestuesve, duhet të vepronte vetëm brenda Kushtetutës dhe ligjit. Presidenti mund të mblidhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa institucionet duhet të vlerësojnë gjendjen dhe masat e nevojshme. Çdo kufizim i lirive individuale duhet të ketë bazë ligjore, afat të përcaktuar dhe kontroll institucional.
Kaosi i këtyre ditëve ushqehet nga klima e polarizimit, nga politikanët që jetojnë përmes konfliktit dhe nga personazhet që prodhojnë helme, jo melheme. Çdo orë që kalon shton ankthin, frikën dhe pasigurinë. Shqipëria i duhet një zgjidhje politike tani, sepse çdo zgjidhje e vonuar do të ketë një çmim shumë më të lartë.