Protestuesit afrohen te godina qeveritare, qetësia mbizotëron në bulevard
Protestuesit janë afër godinës së qeverisë, por qetësia mbizotëron në bulevardin "Deshmorët e Kombit".

Situata para Kryeministrisë në Tiranë ka ndryshuar tërësisht këtë të hënë, në ditën e shtatë të protestave kundër qeverisë së Edi Rama. Pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara disa orë më parë, tashmë në bulevardin "Deshmorët e Kombit" mbizotëron qetësia.
Një numër i konsiderueshëm protestuesish vijon të qëndrojnë përpara godinës qeveritare, por ndryshe nga episodet e mëparshme, nuk regjistrohen akte dhune apo përplasje me forcat e rendit.
Një tjetër zhvillim është edhe qëndrimi i policisë, e cila këtë herë i ka lejuar demonstruesit të afrohen pranë godinës së Kryeministrisë, pa ndërhyrje për shpërndarjen e tyre.
Pamja aktuale në bulevard është krejtësisht e ndryshme nga ajo e disa orëve më parë, kur situata ishte shoqëruar me tensione mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Pavarësisht qetësisë së situatës, qytetarët vijojnë të qëndrojnë të grumbulluar para selisë së qeverisë, duke mbajtur të pandryshuar kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta ka hyrë në ditën e shtatë, ndërsa zhvillimet e fundit tregojnë një ndryshim të dukshëm të situatës në terren, me protestuesit që vijojnë tubimin pranë Kryeministrisë pa incidente dhune.