Protestuesit “strehohen” në selinë e PD-së, policia i pret jashtë dere
Protestuesit janë futur në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë, ndërsa policia i pret jashtë hyrjes. Deputeti Belind Këlliçi ka deklaruar se policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të selisë së demokratëve, duke mbënguluar se protestuesit nuk kishin kryer asnjë provokim.

Tensione janë regjistruar edhe pranë selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, ku një grup protestuesish janë futur në godinë për të u strehuar, ndërsa efektivët e policisë kanë qëndruar jashtë hyrjes. Situata është tensionuar pas përdorimit të gazit lotsjellës, për të cilin përfaqësuesit e opozitës kanë akuzuar forcat e rendit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të selisë së demokratëve, duke mbënguluar se protestuesit nuk kishin kryer asnjë provokim. Edhe deputeti Eno Bozdo ka denoncuar përdorimin e gazit, ndërsa Këlliçi e ka cilësuar ndërhyrjen si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj opozitës.
“Ervin Demo ka provokuar demokratët, duke hedhur gaz në selinë e tyre. Këtu mund të shihni dhjetëra bombula gazi, pa pasur asnjë incident. Nuk kishte asnjë provokim. Kishte vetëm një tentativë për të barazuar ngjarjen që ndodhi sot në selinë e PS. Ishte një skenar i Edi Ramës, e kemi paralajmëruar. Ishin vetëm policët që kanë tentuar të dhunonin selinë e PD-së”, tha në kohë të ngjitjes Belind Këlliçi.