Artistët shqiptarë thirrën për ndalimin e dhunës ndaj të rinjve në Tiranë
Artistët shqiptarë kanë bërë thirrje për ndalimin e dhunës ndaj të rinjve në Tiranë, duke kërkuar një zgjidhje urgjente përpara se situata të përshkallëzohet më tej.

Protestat e të rinjve në Tiranë vijojnë prej shtatë ditësh, ndërsa përplasjet dhe tensionet kanë nxitur reagime të forta edhe nga artistë të njohur shqiptarë. Artistët kanë shprehur shqetësimin për përballjen mes shqiptarëve dhe rrezikun që, sipas tyre, po u kanoset të rinjve në protestë. Moderatorja Bora Zemani ka shprehur dhimbjen për atë që e cilëson si shkatërrim, urrejtje dhe përballje mes shqiptarëve. Ajo kërkon reagim dhe zgjidhje urgjente, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë vijimi i situatës. Këngëtarja Elvana Gjata ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj të rinjve, duke theksuar se kushdo që ushtron dhunë duhet të mbajë përgjegjësinë. Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë kundër dhunës dhe përplasjes mes shqiptarëve. Edhe këngëtari nga Kosova, Tim Ademi, i njohur si True Kapo, ka reaguar në lidhje me protestat, duke thirrur për mediat e Kosovës për të kushtuar vëmendjen dhe hapësirën e merituar zërit të qytetarëve që po protestojnë. Reagimet e artistëve vijnë në një kohë kur protestat e të rinjve në kryeqytet vijojnë prej disa ditësh, ndërsa thirrjet për ndalimin e dhunës dhe gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë po bëhen gjithnjë e më të forta.