Policia arreston dy persona në Laç, njëri duke drejtuar makinë të blinduar
Policia e Kurbinit ka arrestuar dy persona, të moshave 35 dhe 31 vjeç, në një operacion të koduar "Blindi" në Laç. Njëri prej tyre drejtonte një makinë të blinduar, ndërsa tjetri ishte pasagjer në automjet.

Policia e Kurbinit ka finalizuar operacionin e koduar “Blindi”, në kuadër të të cilit janë arrestuar dy persona, të moshave 35 dhe 31 vjeç, banues në Laç. Sipas njoftimit të Policisë, 35-vjeçari u kap duke drejtuar një automjet luksoz të blinduar, tip “BMW”, pavarësisht se ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” nga Gjykata e Apelit Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në pranga përfundoi edhe 31-vjeçari, i cili udhëtonte si pasagjer në automjet. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një jelek antiplumb dhe një armë të ftohtë, konkretisht një shpatë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti i blinduar, lënda e dyshuar narkotike, sendet e kundërligjshme dhe tre telefona celularë. Sipas Policisë, automjeti dyshohet se është përfituar nga të ardhura me burime të dyshimta. Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.