Policia arreston dy shtetas për prodhim dhe shitje të narkotikëve në Laç
Policia e Kurbinit ka arrestuar dy shtetas për prodhim dhe shitje të narkotikëve në Laç. Dy personat u kapën në një operacion të koduar "Blindi" dhe u gjetën në posed të një automjeti luksoz të blinduar dhe sendesh të ndryshme të kontratës.

Policia e Kurbinit ka finalizuar operacionin e koduar "Blindi", në kuadër të të cilit janë arrestuar dy shtetas, përkatësisht E. P., 35 vjeç, dhe Z. K., 31 vjeç, të dy banues në Laç. Dy personat u kapën nga shërbimet e Policisë në qytetin e Laçit, teksa lëviznin me një automjet luksoz të blinduar të markës "BMW", që drejtohej nga 35-vjeçari E. P.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky i fundit kishte shkelur masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar nga Gjykata e Apelit Tiranë për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve". Gjatë kontrollit fizik të pasagjerit, 31-vjeçarit Z. K., Policia gjeti një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një jelek antiplumb dhe një armë e ftohtë, konkretisht një shpatë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda e dyshuar narkotike, sendet e gjetura, tre telefona celularë dhe automjeti i blinduar tip "BMW". Sipas Policisë, automjeti dyshohet se është përfituar nga të ardhura me burime të dyshimta. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarive të dyshuara të kundërligjshme të dy shtetasve.