Franca shpall gjendje të jashtëzakonshme të pjesshme, masa të reja pas trazirave dhe plaçkitjeve
Kryeministri francez Sébastien Lecornu ka kërkuar shtetrrethim të pjesshëm në zona të caktuara pas trazirave dhe plaçkitjeve në Francë.

Kryeministri francez Sébastien Lecornu u ka kërkuar të hënën bashkive në vend të vendosin shtetrrethim të pjesshëm në zona të caktuara, pas incidenteve të dhunshme të regjistruara gjatë fundjavës. Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse situata e kërkon, mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
Lecornu drejtoi më herët një takim ndërministror për menaxhimin e krizës, me qëllim vlerësimin e dëmeve dhe koordinimin e reagimit të autoriteteve ndaj trazirave.
“Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Forcat e rendit e kanë bërë mirë punën e tyre”, deklaroi kryeministri francez.
Ai i cilësoi ngjarjet si trazira të organizuara nga e majta ekstreme dhe elementë kriminalë, duke paralajmëruar ndjekje penale në shkallë të gjerë ndaj personave përgjegjës për aktet e dhunës.
Ndërkohë, në qytetin e Marsejës janë njoftuar kufizime për tubimet publike, nga ora 12:00 deri në orën 20:00, në një kohë kur pritej të zhvillohej një vizitë e ministrit të Brendshëm, Laurent Nuñez.
Më vonë u bë e ditur se vizita e ministrit në qytetin jugor francez ishte shtyrë.
Macron refuzon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, është përballur me kritika për mënyrën e menaxhimit të krizës dhe, sipas raportimeve, ka paraqitur dorëheqjen e tij.
Megjithatë, Presidenti francez Emmanuel Macron nuk e ka pranuar dorëheqjen, sipas njoftimit të bërë të hënën në mëngjes.
Autoritetet franceze po shqyrtojnë masa të mëtejshme për të rivendosur rendin dhe për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të dhunshme në vend.