Lavrov në Teheran: Moska dhe mbështetja për Iranin në luftën me SHBA-në
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka ardhur në Teheran për bisedime me homologun iranian, Abbas Araghchi, dhe presidentin Masud Pezeshkian. Lavrov ka arritur në Teheran drejtpërdrejt nga Manama, ku kishte marrë pjesë në një takim me zyrtarë të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Vendet e Gjirit kanë kërkuar Moskës të përdorë ndikimin e saj për t’i bërë presion Teheranit që të ndalojë sulmet ndaj fqinjëve të tij.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka ardhur në Teheran për bisedime me homologun iranian, Abbas Araghchi, dhe presidentin Masud Pezeshkian. Lavrov ka arritur në Teheran drejtpërdrejt nga Manama, ku kishte marrë pjesë në një takim me zyrtarë të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Vendet e Gjirit kanë kërkuar Moskës të përdorë ndikimin e saj për t’i bërë presion Teheranit që të ndalojë sulmet ndaj fqinjëve të tij.
Lavrov ka thënë se bisedimet do të përqendrohen te kriza rajonale, për të cilën ajo fajëson SHBA-në dhe Izraelin, si dhe te projektet në fushën e tregtisë, energjisë dhe transportit. Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha Pezeshkianit në fillim të këtij muaji se Moska është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet për ndërmjetësim me qëllim që të ndihmojë në përfundimin e luftës.
Por, ajo që nuk është pjesë e agjendës publike do të jetë në fokusin e një pjese të madhe të botës. Pas gati tetë muajsh luftimesh kundër një kundërshtari shumë më të fuqishëm, vazhdojnë të shtrohen pyetje se sa mbështetje po merr Irani nga Rusia – e cila nuk është përfshirë asnjëherë drejtpërdrejt në luftë – dhe në çfarë forme.
Këto pyetje u bënë edhe më të zëshme më 18 tetor, kur presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në një postim në rrjetet sociale se Rusia po bën “shumë pak, nëse po bën diçka, për ta ndihmuar Republikën Islamike të Iranit”, krahasuar me atë që mund të bënte.
Në mars, Irani sulmoi bazën ajrore Princi Sultan në Arabinë Saudite, duke plagosur 12 ushtarë amerikanë. Ekspertët vunë në pah se saktësia e pazakontë e sulmit ka të ngjarë të jetë mundësuar nga inteligjenca ruse. Më pas, pati raportime se dy ditë para sulmit, 14 satelitë rusë të spiunazhit kishin kaluar mbi këtë bazë. Më vonë, zyrtarët amerikanë arritën në përfundimin se informacionet nga Moska e kishin bërë të mundur sulmin preciz.
Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, i cili foli për Radion Evrope të Lirë (REL) në kushte anonimiteti, pasi nuk është i autorizuar të prononcohet publikisht, tha se ndihma ruse për Iranin ka qenë gjithmonë e kufizuar sepse lufta kundër Ukrainës i ka shteruar burimet e Moskës.
Zyrtari tha se “nuk ka absolutisht asnjë shenjë se ata po e kufizojnë atë edhe më tej” dhe e cilësoi deklaratën e Trumpit si “propagandë për të shpjeguar disi para publikut [amerikan] pse ai [Trump] po tregohet i butë me Rusinë dhe po e ngacmon Ukrainën”.