Aksionet në Francë bien për shkak të ndikimit të protestave të dhunshme
Indeksi CAC 40 ra me 1,1 për qind, ndërsa indeksit pan-evropian STOXX 600 iu shtuan 0,63 për qind humbje.
Aksionet franceze kryesuan humbjet në tregjet evropiane të hënën, pas protestave të dhunshme gjatë fundjavës, ndërsa investitorët presin një javë të ngarkuar me publikimin e rezultateve financiare të kompanive. Indeksi CAC 40, treguesi kryesor i bursës franceze, ra me 1,1 për qind deri në orën 08:00, pasi trazirat lidhur me rritjen e kostos së jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike shtuan shqetësimet për rritjen e dobët ekonomike dhe borxhin në rritje. Indeksi pan-evropian STOXX 600 ra me 0,63 për qind, në 640,68 pikë, pasi javën e kaluar ishte rritur me më shumë se 2 për qind. Të shtunën e kaluar, në të gjithë Francën u mbajtën demonstrata masive kundër rritjes së kostos së jetesës dhe çmimeve të larta të karburanteve. Rreth 2.400 persona u ndaluan në të gjithë vendin ndërsa u plagosën rreth 1.000 policë, xhandarë dhe zjarrfikës. Një protestues humbi jetën pasi u ndje keq në Paris ndërsa një 17-vjeçar humbi dorën e djathtë nga një granatë për shpërndarjen e turmave në Saint-Etienne. Në tregjet evropiane, aksionet bankare pësuan ndër humbjet më të mëdha ndërsa indeksi bankar i Eurozonës ra me 1,4 për qind. Indeksi IBEX 35 i Spanjës, ku sektori bankar ka peshë të madhe, ra me 1,21 për qind. Investitorët po prisnin rezultatet financiare të kompanive të mëdha evropiane dhe amerikane, pasi aksionet e lidhura me inteligjencën artificiale u shitën javën e kaluar mes shqetësimeve për rritjen e borxhit të nevojshëm për financimin e investimeve në infrastrukturë. Ndër aksionet individuale, prodhuesi norvegjez i salmonit Mowi u rrit me 4,1 për qind, pasi vëllimi i salmonit të prodhuar në tremujorin e tretë arriti nivel rekord.