Shehaj: Rama është në krye të detyrës për të mbrojtur veten, jo shtetin
Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për të drejtuar policinë për të mbrojtur veten dhe jo shtetin, duke e konsideruar reagimin e pushtetit si një sjellje tipike autokrate.

Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka dhënë një prononcim për News24 nga sheshi i protestës, ku ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama për tensionimin e situatës dhe përdorimin e forcës ndaj qytetarëve. Shehaj e cilësoi reagimin e pushtetit si një sjellje tipike autokrate, duke nëvizuar se përpjekja për të shuar revoltën me dhunë ushtroi efektin e kundërt. Në fjalën e tij nga terreni, Shehaj deklaroi se veprimet e policisë janë kriminale dhe se Edi Rama kërkon të rrijë në pushtet me çdo kusht, pavarësisht protestave që vazhdojnë prej më shumë se 140 ditësh. Ai shtoi se qytetarët kërkuan në mënyrë paqësore largimin e tij dhe ndryshimin e sistemit politik 35-vjeçar, por Rama reagoi me dhunë duke menduar se do ta fikte protestën. Sipas tij, ndodhi e kundërta sepse protesta u bë edhe më e madhe dhe situata u shkallëzua, ndërsa nëse ka dhunë dhe shkatërrime, përgjegjësi kryesor mbetet vetëm Edi Rama. Shehaj nënvizoi se Rama duhet të njoftojë dorëheqjen nëse duam që kjo situatë të mbarojë, pasi vetëm me dorëheqjen e tij përfundon çdo dhunë dhe protestë. Ai akuzoi kryeministrin se po e drejton vetë policinë për të mbrojtur veten e tij dhe jo shtetin. Në përmbyllje, Shehaj reagoi ndaj etiketimit të të rinjve si “dështakë”, duke u shprehur se një qeverisje që ka dhënë vetëm korrupsion nuk mund t’u tregojë me gisht të rinjve të aftë që duan të jetojnë në Shqipëri, sepse nuk mund të quhet “aftësi” abuzimi me detyrën dhe ndarja e pushtetit me miqtë e familjarët.