Amorim: Frika dhe vendimet e gabuara i dhanë mundësi kundërshtarit
Trajneri i Milanit, Ruben Amorim, ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës në fitoren 3-2 kundër Atalantës, por ka shprehur shqetësimet për menaxhimin e minutave të fundit të ndeshjes.

Trajneri i Milanit, Ruben Amorim, ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës në fitoren 3-2 kundër Atalantës, por ka shprehur shqetësimet për menaxhimin e minutave të fundit të ndeshjes. Në prononcimin për "DAZN", pas takimit të zhvilluar në "San Siro", Amorim u shpreh i kënaqur me rezultatin dhe progresin e skuadrës, por kërkoi më shumë përqendrim gjatë gjithë ndeshjes.
"Pas ndeshjes me Sasuolon thashë se po përmirësohemi dhe këtë e shoh vazhdimisht. Minutat e fundit nuk e ndryshojnë këtë vlerësim, por na tregojnë se duhet të jemi të përqendruar për 90 minuta. Kemi ende gjëra për të përmirësuar", deklaroi trajneri portugez.
Sipas tij, Milani kishte mundësi ta mbyllte me herët ndeshjen, por gabimet në ndërtimin e aksioneve dhe mungesa e qetësisë ndryshuan rrjedhën e takimit.
"Ishim pranë golit të katërt, por morëm vendime të gabuara. Kjo i dha besim Atalantës. Luajtëm mirë deri rreth minutave të 66-të, më pas gjithçka ndryshoi. Nuk ishte vetëm lodhje, por të gjithë nisëm të kishim frikë. Duhej ta kontrollonim ndeshjen përmes zotërimit të topit", shpjegoi Amorim.
Tekniku vlerësoi gjithashtu rendësinë e rotacionit, duke theksuar se lojtarët po përshtaten gjithnjë e mirë me kërkesat taktike.
"Rotacioni na ndihmoi shumë. Lojtarët po punojnë fort. Presioni, depeertimet dhe lëvizjet kërkojnë kohë për t'u përvetësuar, por po përmirësohemi. Jam i kënaqur me rezultatin dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë", shtoi ai.
Amorim u ndal edhe te paraqitja e Adrien Rabios, duke vlerësuar përvojën dhe aftësinë e mesfushorit për të menaxhuar situatat delikate, veçanërisht pas ndëshkimit me karton të verdhë.
"Rabio është një lojtar shumë i rëndësishëm. Ai ka përvojë dhe e di se, kur është ndëshkuar me karton të verdhë, nuk mund të ndërhyjë në çdo aksion. Nëse do të mendoja se rrezikonte kartonin e kuq, do ta kisha zëvendësuar, por e ndjeva se situata ishte nën kontroll", përfundoi trajneri i Milanit.
Pavarësisht vështirësive në fund, Amorim mbetet optimist për ecurinë e kuqezinjve, duke e konsideruar përmirësimin e menaxhimit të ndeshjeve si një nga objektivat kryesore të skuadrës.