Qeveria miraton shpërblimin për 2750 efektivët e policisë në frontin e protestës
Qeveria ka miratuar vendimin për dhënien e shpërblimit financiar për 2750 punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestave në Tiranë.

Qeveria ka miratuar vendimin për dhënien e shpërblimit financiar për 2750 punonjës të Policisë shtetërore për angazhimin e tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestave në Tiranë. Vendimi u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të kësaj të hëne, pas paralajmërimit të bërë më herët nga kryeministri Edi Rama.
Sipas dokumentit zyrtar, për shpërblimin e punonjësve të policisë parashikohet një fond total prej 740 milionë e 80 mijë lekësh, i cili do të shtohet në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin e shpenzimeve korrente të programit buxhetor “Policia e Shtetit”. Efekti financiar prej 740 080 000 lekësh do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë shtetërore do të përcaktojë listën emërore të përfituesve, bazuar në dokumentacionin justifikues, si dhe do të kryejë procedurat për dhënien e shpërblimit. Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë shtetërore janë ngarkuar për zbatimin e vendimit.