310 të lënduar në 7 ditë protesta, 191 prej tyre punonjës policie
Protestat në Shqipëri kanë rezultuar në 310 të lënduar, me 191 prej tyre që janë punonjës të Policisë së Shtetit.

Shtatë persona kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë protestave të 19 tetorit në Tiranë, mes tyre një efektiv policie, një protestues i mitur, përfaqësues i medias dhe kalimtarë. Sipas përditesimit të autoriteteve shëndetësore në orën 21:00, katër kalimtarë janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumes. Njëri prej tyre, përfaqësues i një medie ndërkombëtare, është larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore, në gjendje jashtë rrezikut për jetë. Një tjetër kalimtar është larguar pasi ka marrë trajtimin, ndërsa dy të tjerë vijojnë ekzaminimet e nevojshme në spital. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur për ndihmë mjekësore një efektiv policie, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias. Të tre janë në gjendje shëndetësore stabile. Që prej nisjes së protestave më 13 tetor, numri i përgjithshëm i të lënduarve ka arritur në 310 persona. Prej tyre, 191 janë punonjës të Policisë së Shtetit, 88 protestues dhe 31 kalimtarë.