Pedagogët i bashkohen studentëve, kërkojnë qeveri kujdestare pas dhunës ndaj të rinjve
Pedagogët shqiptarë kanë dalë në mbështetje të studentëve që protestojnë në Tiranë, duke kërkuar qeverinë kujdestare dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Një grup prej 1350 pedagogësh është dalë në mbështetje të studentëve që protestojnë në Tiranë, duke kërkuar qeverinë kujdestare dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ata kanë lëshuar një deklaratë publike në të cilën dënonin dhunën që është ushtruar ndaj studentëve gjatë protestave dhe kërkonin krijimin e një qeverie kujdestare që të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Pedagogët i drejtohen gjithashtu policisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për ruajtjen e rendit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të çdo akti dhunë ndaj studentëve dhe refuzimin e zbatimit të urdhrave të paligjshëm. Ata paralajmërojnë se përgjegjësia për veprimet e paligjshme mbetet individuale, duke iu referuar pamjeve të filmuara nga qytetarët dhe mediat gjatë protestave.
Një tjetër thirrje u drejtohet përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilave pedagogët u kërkojnë të reagojnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, sipas standardeve që zbatohen në vendet që ata përfaqësojnë.
Nënshkruesit u kërkojnë protestuesve të mbrojnë bizneset, pronën publike dhe private, në mënyrë që të shmanget çdo justifikim për përdorimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestave. Pedagogët bëjnë thirrje edhe për një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve të Tiranës në mbështetje të studentëve, duke sjellë si krahasim lëvizjen studentore të vitit 1991.
"Nëse ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderët tanë në shesh. Bashkohuni me ne për të mbrojtur nga dhuna", përfundon deklarata.
Nisma është hapur për nënshkrime të tjera nga pedagogët, përmes një formulari publik ku kërkojnë emrin, mbiemrin, pozicionin akademik dhe institucionin arsimor ku janë të angazhuar. Deklarata përmend gjithashtu një lidhje për konsultimin e listës së pedagogëve që janë bashkuar nismës.