FSHZH lidh kontratë 1.1 milionë euro për parkimet publike në Ksamil dhe Fushë-Studen
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka lidhur kontratë me operatorin ekonomik "T & XH" për ndërtimin e hapësirave të reja të parkimit publik në Ksamil dhe Fushë-Studen të Librazhdit, me vlerë prej 100.6 milionë lekësh, ose rreth 1.1 milionë euro.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) njoftoi se ka lidhur kontratë me operatorin ekonomik "T & XH" për ndërtimin e hapësirave të reja të parkimit publik në Ksamil dhe Fushë-Studen të Librazhdit, me vlerë prej 100.6 milionë lekësh, ose rreth 1.1 milionë euro.
Kontrata është lidhur pas përfundimit të procedurës së prokurimit me objekt "Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 3&4: Sistemimi urban për krijimin e parkimeve të hapura publike në Ksamil, Sarandë dhe Fushë-Studen, Librazhd".
Oferta fituese e operatorit "T & XH" ishte 100,649,595.96 lekë, duke përfaqësuar 75.38% të fondit limit prej 133,518,071.09 lekësh, ose rreth 1.47 milionë euro. Afati i parashikuar për realizimin e punimeve është 18 muaj.
Projekti përfshin ndërtimin e tre hapësirave të reja të parkimit publik, dy prej tyre në Ksamil dhe një në Fushë-Studen.
Në Ksamil, parashikohet krijimi i rreth 285 vendeve të parkimit, të ndara në dy sheshe. Sipas planimetrive të projektit, hapësira e pare do të ketë rreth 166 vende parkimi, ndërsa e dyta rreth 119 vende, përfshinë edhe pozicionet e rezervuara.
Ndërkohë, në Fushë-Studen të Librazhdit, projekti parashikon ndërtimin e një parkimi publik në një sipërfaqe prej 1,752 metrash katrorë, me kapacitet prej 44 vende standarde për automjete. Investimi në këtë zonë është pjesë e ndërhynjeve për përmirësimin e infrastrukturës në destinacionet e turizmit natyror dhe malor, ku frekuentimi i vizitorëve përqendrohet kryesisht gjatë fundjavave dhe sezonit turistik.
Në total, projekti parashikon krijimin e rreth 329 vendeve të parkimit në të dy destinacionet.
Kontrata është pjesë e programit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit, që përfshin krijimin dhe sistemimin e hapësirave publike të parkimit në qytete dhe destinacione turistike. Në kuadër të këtij programi, FSHZH ka zhvilluar edhe procedurën e tjera për modernizimin teknologjik të parkimeve publike në Vlorë, Durrës, Berat dhe Gjirokastër, përmes instalimit të sistemeve automatike të menaxhimit dhe pagesës.