Bankat lehtësojnë standardet e kreditimit për bizneset
Tremujori i tretë i vitit 2016 shfaq një lehtësim në standardet e kreditimit për bizneset, veçanërisht për SME-të.

Tremujori i tretë i vitit 2016 shfaq një lehtësim në standardet e kreditimit për bizneset, veçanërisht për SME-të. Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues, i Bankës së Shqipërisë, tregon se lehtësimi erdhi sidomos në kreditet për biznesin e vogël dhe të mesëm. Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditet e reja disbursuar bizneseve u lehtësuan disi në tremujorin e tretë, nëpërmjet zbatimit të kërkesave më të ulëta për kolateral. Marzhedhjet e aplikuara mbi kreditet me rrezik u raportuan më të larta, por balanca neto e këtij treguesi ishte minimale. Elementet e tjera joçmim nuk patën ndryshime nga një tremujor me pare. Në gjykimin e bankave, trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistem bankar i ka bërë ato të shfaqin një tolerancë më të lartë kundër marrjes përsipër të rrezikut. Sipas bankave, kushtet e termat e kreditimit për bizneset u mbështetën pozitivisht edhe nga Programi i Financimit për Biznesin e Vogël dhe të Mesëm. Në ana tjetër, standardet e kreditimit u raportuan të pandryshuara për biznesin e madh dhe për të dyja llojet e përdorimit të kredisë, mbulimin e nevojave për likuiditet dhe financimin e investimeve. Në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit u raportuan kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci dhe konkurrenca në sistem bankar. Në kahun shtrëngues ndikoi rreziku i perceptuar nga ana e bankave lidhur me situatën makroekonomike dhe perspektiva për të; si dhe me aftësinë paguese të kredimarrësve. Gjithashtu, shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua disi më e lartë në tremujorin e tretë. Faktori kryesor që ndikoi në këtë drejtim ishin pasqyrat financiare të bizneseve. Elementet e tjera që ndikojnë shkallën e miratimeve patën ndryshime minimale. Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje në tremujorin e tretë në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit dhe në çdo lloj qëllimi përdorimi të kredisë. Rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve dhe inventarëve të kapitalit qarkullues. Po ashtu, në gjykimin e bankave, treguesit e besimit të biznesit dhe niveli i përgjithshëm i normave të interesit ishin faktorë që mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Nga ana tjetër, situata aktuale ekonomike dhe pritjet për të ndikuan në kahun rënës të kërkesës për kredi të bizneseve në tremujorin e tretë. Në tremujorin e fundit, standardet e kreditimit priten të mbeten të lehtësuara për biznesin e vogël dhe të mesëm. Nga ana tjetër, ato priten të qëndrojnë thuajse të pandryshuara për biznesin e madh, në kreditet për financimin e investimeve, si dhe në kreditet për mbulimin e nevojave për likuiditet.