Grupi parlamentar i PD-së kërkon mbledhjen urgjente të Kuvendit për largimin e Ramës
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike (PD) ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit për të diskutuar largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe akte të dhunës së policisë ndaj studentëve dhe rinisë.

Gjatë ditëve të fundit, studentët dhe rinia shqiptare kanë vazhduar protestat e tyre kundër arrogancës, keqkuptimit, korrupsionit qeveritar dhe braktisjes nga ana e Qeverisë, duke artikuluar si kërkesë të vetme largimin e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë këtyre ditëve të protesteve, ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kemi konstatuar akte të renda dhunë ndaj studentëve dhe rinisë. Këto akte, të cilat deshmojnë një përdorim shqetësues dhe të papranueshëm të forcave nga Policia e Shtetit, nuk kanë kursyer as të miturit, gratë dhe vajzat. Si pasojë, janë raportuar dëmtime të renda fizike, përfshirë fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në kokë, lëndime të tjera trupore, si dhe dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i plumbave të gomës dhe i lëndëve kimike. Përballë kësaj situatës të paprecedentë, është veçanërisht shqetësues që Kuvendi i Shqipërisë jo vetëm nuk ka ndërmarrë hapa për të kërkuar llogaridhëniet institucionale lidhur me veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, një pjesë e të cilëve, sipas konstatimeve gjatë protestave, nuk mbanin mjete identifikimi, por ka anuluar edhe seancën plenare të parashikuar, pa njoftim paraprak dhe pa dhënë një shpjegim të arsyetuar për këtë vendim. Në këto kushte, duke vlerësuar seriozitetin e situatës dhe nevojën për ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe institucionale të Kuvendit, ne, deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kërkojmë thirrjen e një seance plenare brenda ditës së sotme ose, në alternativë, ditën e mërkurës, me rend dite të kufizuar në pikën e mëposhtme: - “Diskutimi mbi protestën e studentëve dhe të rinjve, kërkesën e tyre për largimin e Kryeministrit Edi Rama, si dhe akte të dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të miturve, studentëve dhe të rinjve”. Vlerësojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin institucional të garantojë transparencën, llogaridhënien dhe shqyrtimin parlamentar të kësaj situatës, duke bërë të mundur diskutimin e saj në një seancë plenare dhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit të konstatuar. Duke ju kërkuar të merrni masat e nevojshme për shqyrtimin e kësaj kërkesë me urgjencë, ne, në përbërje me Rregulloren e Kuvendit, presim marrjen e masave për thirrjen e seancës plenare të kërkuar.