Pedagogët në shesh, çfarë po kërkojnë
Pedagogët e universiteteve të Shqipërisë, së bashku me prindërit dhe studentët, u mblodhën në Universitetin Politeknik të Tiranës për të mbështetur protestën e studentëve. Ata flasin për vështirësitë ekonomike të studentëve, kushtet e universiteteve dhe përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.

Pedagogët e universiteteve të Shqipërisë, së bashku me prindërit dhe studentët, u mblodhën në Universitetin Politeknik të Tiranës për të mbështetur protestën e studentëve. Ata flasin për vështirësitë ekonomike të studentëve, kushtet e universiteteve dhe përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.
Një pedagoge e Universitetit të Tiranës tha se si mund të jetojë një student me 100 euro, duke referuar bursën për ata studentë që kanë mesataren mbi 9. Ajo kundërshtoi paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për heqjen e bursave për studentët (edhe ata ekselentë) që përfshihen në akte dhune gjatë protestave.
Sipas pedagogut Mihallaq Qirjo, pamjet e dhunës ndaj të rinjve kanë shtuar shqetësimin dhe kanë nxitur më shumë njerëz t’i bashkohen protestës. Ai tha se pakënaqësia lidhet edhe me keqmenaxhimin e fondeve publike dhe me mosdëgjimin e kërkesave të qytetarëve.
Një tjetër pedagog, Ilir Kaso, tha se fakti që të rinjtë janë ngritur për të drejtat e tyre është një shpresë shumë e madhe për vendin. Ai tha se shpresë e madhe që duhet të solidarizohemi të gjithë dhe të mos mposhtemi në këtë fatkeqësi që po na ndodh.
Ndërsa një ish pedagog, por gjithashtu edhe ish-ushtarak, tha për Faktoje se ishte aty më shumë për shkak të dhunës së policisë ndaj studentëve, të cilën ai e konsideronte si reprezalje.
Pedagogu Enver Bytyçi deklaroi se lëvizja në mbështetje të studentëve do të vijojë me thirrjen për bojkot total të procesit mësimor, jo vetëm në universitete, por edhe në shkollat e mesme. Ai tha se pedagogët nuk u kanë dhënë studentëve mbështetjen e duhur në protestat e mëparshme dhe se këtë herë nuk duhet t’i lënë vetëm.
Madje ai tha se pedagogët do të jenë çdo ditë në shesh në mbështetje të studentëve, duke mos përjashtuar as mundësinë e një greve urie. Ai tha se pedagogët do të jenë liderë në auditorët e universiteteve, por sot studentët janë liderët tanë në shesh.
Kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi, tha se mbështetja nuk do të jetë e kufizuar në marshimin e së martës.