LIBIA RATIFIKON MEMORANDUMIN ME TURQINË, RRITEJN TENSIONET ME GREQINË PËR KUFIJTË DETARE
Parlamenti libian ratifikoi memorandumin turko-libian për përcaktimin e zonave detare në Mesdhe, duke rritur tensionet me Greqinë për kufijtë detarë.

Parlamenti libian në Bengazi ka ratifikuar memorandumin turko-libian për përcaktimin e zonave detare në Mesdhe, një zhvillim që pritet të shtojë tensionet me Greqinë dhe të vështirësojë negociatat për kufijtë detarë mes dy vendeve. Vendimi vjen pas ndryshimeve të fundit në drejtimin e Parlamentit libian, ku Aqila Saleh u largua nga posti i kryetarit dhe u zëvendësua nga një drejtues i ri, i cili gëzon mbështetjen e kampit të Sadam Haftarit në Libinë Lindore.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ratifikimi i memorandumit shihet si një fitore diplomatike për Ankaranë, e cila prej kohësh synon të forcojë ndikimin e saj në Libi. Turqia dyshohet se ka ushtruar presion mbi kampin e Haftarit, duke lidhur bashkëpunimin ushtarak dhe projektet e investimeve në Bengazi me mbështetjen për marrëveshjen detare.
Memorandumi i vitit 2019 mes Turqisë dhe qeverisë libiane me seli në Tripoli përcakton një kufi detar që bie në konflikt me pretendimet e Greqisë, veçanërisht në zonat mes bregdetit libian dhe ishullit të Kretës. Athina kundërshton marrëveshjen, duke argumentuar se ajo shpërfill të drejtat detare të ishujve grekë dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare të detit.
Zhvillimi merr rëndësi të veçantë në një kohë kur Greqia ka avancuar planet për kërkimin e hidrokarbureve në jug të Kretës, ku janë përfshirë edhe projekte me kompanitë amerikane Chevron. Ratifikimi mund të komplikojë përpjekjet për një marrëveshje mes Athinës dhe Tripolit mbi përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike dhe shelfit kontinental. Ndërkohë, Libia ka paraqitur në Kombe të Bashkuara pretendimet e saj për kufijtë e jashtëm të shelfit kontinental në Mesdhe.
Harta e dorëzuar më 27 maj 2025 mbivendoset me zona detare që Greqia i konsideron pjesë të të drejtave të saj. Vendimi pritet të ketë pasoja edhe në marrëdhëniet rajonale. Egjipti ka kundërshtuar memorandumin turko-libian, ndërsa zhvillimet mund të shkaktojnë shqetësim edhe në Izrael dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë krijuar marrëdhëniet ngushta me kampin e Haftarit.
Pavarësisht ratifikimit, marrëveshja nuk e zgjidh përfundimisht mosmarrëveshjen për kufijtë detarë dhe nuk garanton njohjen e saj ndërkombëtare. Megjithatë, ajo forcon pozicionin politik të Turqisë dhe mund të ndikojë në negociatat e ardhshme për ndarjen e zonave detare në Mesdheun Lindor.