Studentët nuk tërhiqen, protesta kombëtare e shtunën para Kryeministrisë
Studentët shqiptarë nuk tërhiqen, protesta kombëtare e shtunën para Kryeministrisë, ndërsa policia përdor ujë dhe gaz për të shpërndarë turmën.

Protestuesit kanë bërë thirrje për një protestë kombëtare të shtunën, më 24 tetor, në orën 10:00, para Kryeministrisë, duke ftuar mobilizim të rinisë nga të gjithë vendi dhe shqiptarët që jetojnë në diasporë për t'u bashkuar revoltës kundër qeverisë.
Thirrja vjen në ditën e tetë të protestave studentore, të cilat prej më shumë se një jave kanë përfshirë rrugët e Tiranës dhe më gjerë, duke u shoqëruar me tensione, përplasje të dhunshme me policinë, dëmtime dhe zjarrvënie në institucione publike dhe private, si dhe arrestime të protestuesve.
Ndryshe nga shtatë ditët e mëparshme, të karakterizuara nga kaosi dhe incidente të dhunshme, situata gjatë ditës sotme është paraqitur fillimisht më e qetë.
Prej orës 13:30, protestuesit janë grumbulluar përpara Ministrisë së Arsimit. Pasi iu bashkuan pedagogët në tubimin para Kryeministrisë, të rinjtë marshuan përgjatë Rrugës së Durrësit, për t'u mbledhur më pas përpara godinës së Ministrisë së Arsimit.
Megjithatë, qetësia nuk zgjati shumë. Në mesin e protestuesve u shfaqën sërish persona të maskuar, ndërsa pas rreth 30 minutash nisën sulmet me gurë në drejtim të godinës së ministrisë dhe efektivëve të policisë.
Forcat e rendit u përgjigjën duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të venë situatën nën kontroll. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, protestuesit vijuan të qëndronin përpara Ministrisë së Arsimit.
Ndërkohe, pas tetë ditësh protestash dhe përplasjesh, të rinjtë synojnë ta shtrijnë mobilizimin në nivel kombëtar. Përmes thirrjes për tubimin e shtunës, ata kërkojnë pjesëmarrje masive jo vetëm nga studentët dhe të rinjtë në Shqipëri, por edhe nga diaspora shqiptare.
Protesta e 24 tetorit, e paralajmëruar për orën 10:00 përpara Kryeministrisë, pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm i mobilizimit studentor, ndërsa mbetet për t'u parë si do të zhvillohet tubimi pas një jave të shoqëruar me tensione dhe incidente të dhunshme.
Media që s’e dorëzon pavarësinë e saj, i paraprine një qeverisje te ndershme. Pamfleti është një platformë mediatike analitike që u “lind” si domosdoshmëri e një tribune pa kompromis, si një zë i fuqishëm në luftën pa ekuivok ndaj krimit dhe korrupsionit politik në Shqipëri.