Biznesmenët dhe personat e pandehur në dosjen e Ahmetajt
Arben Ahmetaj dhe 10 personat e tjerë janë të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Janë zbardhur emrat e biznesmenëve që janë pjesë e dosjes së ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për çështjen e inceneratorëve. Në listën e akuzuar janë marrë biznesmenët Sokol Meqemeja dhe Gerian Kuka. Emrat janë bërë të ditur në njoftimin e Gjykatës së Posaçme, ku të pandehurit duhet të paraqiten para togave të zeza në seancën që është caktuar të mbahet më 3 nëntor në orën 09:30.
Personat e tjerë të pandehur janë: Arben Ahmetaj, Albina Mançka, Erjola Hoxha, Mirel Mërtiri (alias Klodian Mërtiri), Klodian Zoto, Andi Boni, Elda Dinaj, Helidon Begaj dhe Sonila Goxhaj.
Në mars të këtij viti, Prokuroria e Posaçme e kreu hetimet dhe dërgoi për gjykim procedimin penal nr. 277/1 të vitit 2022 kundër ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe 10 personave të tjerë.
Sipas SPAK-ut, Ahmetaj akuzohet për disa vepra penale, përfshirë "korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë", "pastrim parash" dhe "fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë", të kryera në disa episode dhe në bashkëpunim.
Hetimet tregojnë se ai ka përfituar shuma të konsiderueshme parash dhe përfitime të tjera nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet pagesave të fshehuara, shitjeve fiktive dhe investimeve të maskuara.