Aksidenti tragjik në Egjipt: 13 të vdekur dhe 34 të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Egjipt, ku një autobus turistik është përplasur me një kamion në perëndim të Kajros, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e 34 të tjerëve.

Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Egjiptin, ku një autobus turistik është përplasur me një kamion në perëndim të Kajros, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e 34 të tjerëve. Aksidenti ndodhi në një autostradë që lidh Kajron me Assiutin, pranë Gizës. Të plagosurit janë transportuar në një spital në Giza, ku po marrin trajtim mjekësor.
Pas aksidentit, autoritetet kanë evakuuar autostraden. Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë përmasat e rënda të përplasjes, me autobusin e shkatërruar dhe të ndarë në dy pjesë, ndërsa sedilet dhe sendet personale të pasagjerëve janë shpërndarë në asfalt. Aksidentet rrugore janë një problem i përsëritur në Egjipt. Mes faktorëve që lidhen me to janë drejtimi i pakujdesshëm i automjeteve, mirëmbajtja e dobët e mjeteve dhe mungesa në zbatimin e rregullave të trafikut.
Sipas Autoritetit Qendror për Mobilizimin Publik dhe Statistikat në Egjipt, vitin e kaluar rreth 6 mijë persona humbën jetën në aksidente rrugore në të gjithë vendin. Edhe muajt e fundit janë regjistruar aksidente të rënda. Muajin e kaluar, 22 persona, mes tyre 10 turistë jordanezë, humbën jetën në një aksident në Sinai. Në gusht, të paktën 18 persona, shumë prej tyre fëmijë, vdiqën në veri të Egjiptit, pasi u përplasën dy kamione që transportonin punëtorë.