Avioni ushtarak rrëzohet në Francë, një anëtar i ekuipazhit vdes
Avioni Mirage 2000-D i Forcave Ajrore Franceze është rrëzuar gjatë një fluturimi stërvitor pranë qytetit Nancy, duke shkaktuar vdekjen e njërit prej dy anëtarëve të ekuipazhit.

Një avion Mirage 2000-D i Forcave Ajrore Franceze është rrëzuar gjatë një fluturimi stërvitor pranë qytetit Nancy, duke shkaktuar vdekjen e njërit prej dy anëtarëve të ekuipazhit. Aksidenti ndodhi rreth orës 23:00 të së martës, ndërsa kërkimet vijojnë për gjetjen e anëtarit të dytë. Në bord ndodheshin një pilot luftarak dhe një oficer përgjegjës për navigimin dhe sistemet luftarake.
Sipas kryebashkiakut Henri Lemoine, rrënojat e avionit u pikasën nga një dron. Dëshmitarët raportuan se dëgjuan një shpërthim të fuqishëm dhe panë një top zjarri në qiellin e natës.
Mediat franceze bëjnë të ditur se në operacionin e kërkimit janë angazhuar zjarrfikës, ekipe të shpëtimit ajror, forca policie dhe një helikopter. Autoritetet kanë nisur hetimet gjyqësore dhe të sigurisë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rrëzimit.