Trump: Kievi do të binte për një ditë, po të mos ishte për një gjeneral ‘idiot’ rus
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ushtria ruse dështoi ta pushtonte Kievin brenda një dite për shkak të gabimit të një gjenerali rus dhe baltës së shiut.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paraqitur sërish një version të pazakontë të arsyeve pse ushtria ruse dështoi ta pushtonte Kievin brenda një dite, në fillim të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Sipas Trumpit, dështimi i ofensivës së shpejtë ruse nuk erdhi si pasojë e rezistencës ukrainase, por për shkak të gabimit të një gjenerali rus, të cilin e quajti “idiot”, si dhe të baltës së krijuar nga reshjet e mëdha të shiut.
Duke folur para gazetarëve, Trumpi pretendoi se natën para sulmit kishte rënë “shiu më i madh në dhjetë vjet” dhe se tanket ruse mund të arrinin lehtësisht në qendër të Kievit brenda pak orësh, po të vazhdonin rrugën kryesore.
“Një gjeneral idiot rus. Një njeri shumë budalla. Nëse do të kishin 1.000 tanke që lëviznin me shpejtësi në një autostradë, do të mbërrinin në Ukrainë për katër orë, duke lëvizur me shpejtësinë maksimale të tankeve, që është saktësisht rreth 77 kilometra në orë. Asgjë nuk do t’i ndalte. Lufta do të përfundonte brenda një dite”, ka thënë Trumpi.
Ai fajësoi një komandant të paidentifikuar për dështimin e operacionit rus, duke thënë se nuk e dinte kush ishte dhe duke shprehur dyshimin se mund të mos ishte më gjallë.
“Ky gjeneral shumë budalla vendosi të kthehej djathtas drejt tokave bujqësore dhe më pas majtas, në drejtim të Kievit. Në vend që të qëndronte në autostradë, në një rrugë betoni, krejtësisht të përshtatshme, ku po përparonin shumë mirë. Do të kishte mbërritur për tre orë e gjysmë deri në katër orë dhe e gjithë lufta do të kishte përfunduar. Por, në vend të kësaj, u bllokua në baltë. Ishte si rërë thithëse”, deklaroi presidenti amerikan.
Trumpi nuk paraqiti prova për pretendimet e tij.
Në fillim të pushtimit rus, në shkurt të vitit 2022, forcat ruse përdorën rrugët kryesore për të përparuar drejt Kievit, por pësuan humbje të mëdha.
Kolona e gjatë ushtarake ruse, e cila u shtri për dhjetëra kilometra në veri të kryeqytetit ukrainas, u përball me probleme të furnizimit me karburant dhe ushqim. Ndërkohë, forcat ukrainase shkatërruan ura, përmbytën zona përgjatë lumit Irpin dhe kryen sulme të befasishme ndaj kolonave ruse.
Rezistenca ukrainase dhe problemet logjistike kontribuuan në dështimin e ofensivës ruse për ta marrë Kievin, duke penguar synimin e Moskës për një fitore të shpejtë në ditët e para të luftës.