Partia nuk është kryeministri, por kush ua mbush mendjen këtyre?
Historia e Partisë Socialiste e bën argumentin pardoksal edhe më interesant. Partia Socialiste nuk ka nevojë të zbulojë ndonjë teori të re politike, por problemi është se historia, ndonëse studiohet në shkolla, nuk duket se është le ndërlidhës e detyrueshme për ata që qeverisin.

Në demokraci, partitë vijnë në pushtet me votë jo individi. Kur mandati elektoral katandiset në kontratë pronësie dhe pranohet gjerësisht si e tillë jemi para një problemi të rendë intelektual edhe kulturor. Ky dallim duket elementar, por bëhet i vështirë për t'u kuptuar kur në çdo argument pushteti personal zëvendësohet lehtësisht me partinë. Historia e Partisë Socialiste e bën argumentin pardoksal edhe më interesant.
Në vitin 1998, Fatos Nano dha dorëheqjen, ndonëse mbështetej në një shumicë të fortë parlamentare. Edhe në rrugë nuk kishte pedagogë e studentë, por militantë politikë të opozitës. Pra, Partia Socialiste nuk ka nevojë të zbulojë ndonjë teori të re politike. Ka precedentë në historinë e saj. Problemi është se historia, ndonëse studiohet në shkolla, nuk duket se është le ndërlidhës e detyrueshme për ata që qeverisin. Edi Rama edhe kushdo tjetër mund të zëvendësohet politikisht, problemi i vërtetë është se Partia Socialiste ka humbur autonominë për ta menduar këto mundësi.
Këtu fillon komedia politike: një parti që pretendon se ka njerëz të aftë për të qeverisur një vend, për ta integruar atë në Evropë sillet sikur nuk ka asnjë njeri të aftë të zëvendësojë një kryeministër. Me këtë logjikë, nuk qenka partia që prodhon kryeministrin, por kryeministri që i jep kuptim ekzistencës së partisë. Një mrekulli organizative, që demokracia e votës nuk e ka parashikuar në asnjë nga manualet e saj. Për më tepër, arsyetimi se kjo bëhet në emër të unitetit partiake, disiplinës partiake apo përgjegjësisë institucionale, është edhe më poshtues për çdo mendje normale.
Heshtja e përfaqësuesve politikë nuk është domosdoshmërisht shenja e unitetit; ajo mund të jetë tregues i dobësisë së autonomisë së tyre dhe i mungesës së mekanizmave të brendshëm të përgjegjshmërisë. Prandaj, demokracia e brendshme e partive nuk është thjesht çështje e anëtarëve të tyre. Ajo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e demokracisë së të gjithë vendit.
Një nga provat më të rendësishme të demokracisë është aftësia e një organizate politike për të ndryshuar drejtuesin pa humbur identitetin, funksionimin apo ekzistencën e saj. Kjo është e vetmja provë që partia është ndërtuar mbi një program dhe përfaqëson një institucion politik të pavarur nga vullneti i individit. Por kush t'ja shpjegojë këto mrekullitë?