Dhuna dhe incidentet ndaj gazetarëve në protestat në Shqipëri
Dy gazetarë të Reuters goditur me plumba gome gjatë protestave në Tiranë, ndërsa një fotoreporter zviceran ka denoncuar se është përballur me presion për të fshirë pamjet e filmuara në Durrës.

Gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë, dy gazetarë të agjencisë Reuters janë goditur me fishekë gome, ndërsa një fotoreporter zviceran ka denoncuar se është përballur me presion për të fshirë pamjet e filmuara në Durrës. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me shqetësim për këto incidente, të cilat janë raportuar më 17 tetor, gjatë protestave që kanë përfshirë kryeqytetin dhe qytete të tjera të vendit.
Sipas AGSH-së, dy gazetarët e Reuters janë goditur nga fishekë gome teksa po dokumentonin përleshjet në Tiranë. Organizata thekson se përdorimi i mjetëve të tillë përbën rrezik serioz për sigurinë dhe jetën e punonjësve të medias që raportojnë nga terreni.
Në një tjetër rast, fotoreporteri i pavarur zviceran Raimond Lueppken ka raportuar se është përballur me një incident në Durrës, teksa po filmonte disa persona të veshur me të zeza. Sipas dëshmisë së tij, dy persona me veshje civile i janë afruar dhe i kanë kërkuar t’i fshijë pamjet filmike, por ai ka refuzuar.
Duke iu referuar organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF), AGSH ben të ditur se personat që po filmoheshin mbajnin jeleke me shenja identifikuese të policisë. Fotoreporteri ka ngritur dyshime se personat që i kërkuan fshirjen e pamjeve mund të kishin lidhje me këtë grup, por identiteti dhe përkatesia e tyre në strukturat policore nuk janë konfirmuar.
AGSH ka dënuar çdo formë dhune, kërcënimi apo presioni ndaj gazetarëve, duke theksuar se përfaqësit e medias duhet të jenë të lirë të dokumentojnë ngjarjet me interes publik, përfshirë veprimet e autoriteteve gjatë protestave.
Organizata i ka bërë thirrje Policisë së Shqipërisë, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë që të nisin verifikimet për të dyja rastet, të shpallë rrethanat e goditjes së gazetarëve të Reuters dhe të identifikojnë personat që ushtruan presion ndaj fotoreporterit zviceran.
Ndërkohë, bilanci i incidenteve ndaj medias gjatë protestave ka arritur shifra shqetësuese. Sipas të dhënave paraprake të AGSH-së, vetëm gjatë periudhës 13–19 tetor 2026 janë regjistruar të paktën 37 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.