Destinacionet më të mira për të vizituar në vitin 2027 sipas NatGeo
Revista NatGeo ka publikuar listën e destinacioneve më të mira për të vizituar në vitin 2027, përfshirë 25 destinacione në gjashtë kontinente.

Revista NatGeo ka publikuar listën e destinacioneve më të mira për të vizituar në vitin 2027. Lista vjetore "Best of the World 2027" përfshin 25 destinacione në gjashtë kontinente, të zgjedhura për bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe zhvillimet e reja turistike.
Në listën e përzgjedhur janë destinacione në Norvegji, Skoci, Spanjë, Francë, Gjermani dhe Poloni. Rajoni Vestland në Norvegji është i vlerësuar për fjordet spektakolare, ujëvarat dhe mundësitë për turizëm natyror. Qyteti i Bergenit, me arkitekturën historike dhe gastronominë nordike, është një tjetër pikë të rëndësishme.
Në Francë, Normandia pritet të tërheqë vizitorët gjatë vitit 2027 me mbi një mijë aktivitete kulturore, të organizuara për të përkujtuar një mijëvjetorin e lindjes së Uilliam Pushtuesit. Gjermania përfaqësohet nga Leipzigu, qyteti i njohur për trashëgiminë muzikore, ku gjatë vitit të ardhshëm do të organizohen festivale dhe aktivitete kushtuar kompozitorëve të mëdhenj.
Në Spanjë, Santanderi po shndërrohet në një qendër të rëndësishme kulturore, falë hapjes së muzeve të reja të artit. Në Azi spikasin Penangu në Malajzi, Niigata në Japoni, Chengdu në Kinë dhe Jaipuri në Indi. Këto destinacione ndërthurin traditat historike me gastronominë, artin dhe investimet në infrastrukturën turistike.
Një vend të veçantë zë edhe Luksori në Egjipt, ku më 2 gusht 2027 pritet të ndodhet një eklips total diellor, që do ta kthejë qytetin historik në një prej qendrave kryesore të vëmendjes turistike.
Në Amerikën Latine, përzgjedhja përfshin destinacione në Brazil, Kili, Meksikë dhe Peru, ndërsa në Afrikë veçohet Malavi, si alternativë për turizmin natyror larg destinacioneve të mbipopulluara.
Shqipëria nuk është përfshirë në listën e këtij viti. Nga rajoni më i gjerë përfshihet Armenia, me shtegun Transkaukazian, që ofron mundësitë të reja për turizmin malor dhe aventurën.