Protestat në Greqi: Studentë, mësues dhe prindër dalin në rrugët e Athinës dhe Selanikut
Studentët, mësuesit dhe prindërit janë dalë në rrugë në Athinë dhe Selanik për të protestuar kërkesat e tyre për arsimin dhe përballimin e kostos së jetesës.

Studentët, mësuesit dhe prindërit kanë dalë në rrugë në Athinë dhe Selanik për të protestuar kërkesat e tyre për arsimin dhe përballimin e kostos së jetesës. Protesta në Athinë nisi në mesditë nga Propylaia, ndërsa policia ka marrë masa të forta sigurie. Rreth 3 mijë efektivë janë vendosur në pika kyçe të kryeqytetit dhe është ndërprerë qarkullimi në disa rrugë rreth qendrës.
Kërkesat kryesore të protestuesve lidhen me kostot gjithnjë e më të larta të jetesës dhe të studimeve. Studentët kërkojnë ulje të qirave, rritje të ndihmës për strehim, më shumë vende në konviktet studentore, si dhe ushqim dhe transport falas. Ata kërkojnë gjithashtu rritje të financimit shtetëror për universitetet publike dhe masa për uljen e çmimeve të energjisë dhe karburanteve.
Në protestë marrin pjesë edhe mësuesit, federata e të cilëve në arsimin fillor ka shpallur grevë 24-orëshe në sektorin e arsimit të ulët, ndërsa mësuesit e arsimit të mesëm kanë zhvilluar një ndërprerje pune prej tre orësh. Kërkesat e tyre lidhen me plotësimin e vendeve bosh në shkolla me punësime të përhershme dhe me përmirësimin e infrastrukturës shkollore.
Edhe në Selanik u zhvillua tubim në qendër të qytetit. Pesë stacione të metrosë u mbyllën përkohësisht me urdhër të policisë. Një ditë më parë, studentët kishin ngritur çadra proteste në sheshin Sintagma në Athinë dhe në rrugën Agia Sofia në Selanik, duke kërkuar zgjidhje për krizën e strehimit studentor dhe rritjen e kostos së studimeve. Protestuesit thonë se mobilizimet do të vazhdojnë, duke kërkuar masa konkrete për arsimin dhe përballimin e kostos së jetesës. Deri tani, protestat janë zhvilluar në mënyrë paqësore.