Berisha: Rama në frikë të madhe, po i vjen dita e llogarisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se në protestat e këtyre ditëve nuk ka asnjë element i "Antifa-s", siç thotë kryeministri Edi Rama.

Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, kreu Sali Berisha u shpreh se në protestat e këtyre ditëve nuk ka asnjë element i “Antifa-s”, ashtu siç thotë kryeministri Edi Rama. “Ky sillet si një padrino. Ky bën çdo gjë për të krijuar një mburojë dhe për ta paraqitur protestën si një Antifa, po s’ka asnjë element, zero. A i dëgjoni studentët, fëmijë emigrantësh të rritur pa njërin prind, të bërë burra, vajza të mëdha e të rritura pa njërin prind në shtëpi. Sepse ua ka përzënë ky me politikën e tij”, u shpreh Berisha. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Ramën e ka kapur frika se po i vjen dita e llogarisë. “Frikë e madhe se dita e llogarisë po vjen, ka humbur logjikë, arsye dhe është lëshuar në kërcënime bajate, vulgare që faktojnë të gjithë psikologjinë e tij, genet e tij prej gjelatësh dhe vazhdon kërcënime nga më të ndryshme ndaj protestuesve. Në mëngjes i fton për dialod, pasi ia kthejnë përmbys, del tani me fjalim tjetër. Mendon se fuqia monetare e bankave mund ta kthejë kundër protestës. Bankat nuk funksionojnë sipas parimeve të një narko diktatori, por sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare te sektorit financiar bankar. Sot, ai kërcënoi protestuesit për listë të zezë, për bllokim pasaportash. I nxjerr të gjitha nga arkivat e etërve të tij. Shikoni se çfarë hipokrizie, çfarë pretendon ky. Ky njeri flet për dëme, ndërkohë që ka ndërtuar me paratë e baballarëve të këtyre që postojnë sarajet. Ka rrethuar sarajet e tij me një park që nuk i ka as pallati mbretëror”, u shpreh Berisha.