Protestat e dhunshme në Tiranë: 11 persona arrestuar, 7 të tjerë në procedurë
Protestat e dhunshme në Tiranë, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje, kanë rezultuar në arrestimin e 11 persona, mes tyre dy të mitur, dhe procedimin e 7 të tjerë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 29 vjeç, G. K., 24 vjeç, F. B., 19 vjeç, E. B., 23 vjeç, S. D., 52 vjeç, E. B., 27 vjeç, A. D., 23 vjeç, L. Z., 18 vjeç dhe E. B., 20 vjeç, si dhe dy shtetas të mitur. Ndërkohë, në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, për identifikimin dhe kapjen e personave që sulmuan punonjësit e Policisë dhe godinën e Komisariatit të Policisë Nr. 3 me lëndë piroteknike, gurë e bomba molotov, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime në godinën e Komisariatit, si dhe duke dëmtuar 10 punonjës policie, u identifikua dhe u ndalua shtetasi E. K., 33 vjeç, i cili dyshohet se gjatë tubimit, tri ditë më parë, ka dëmtuar me sende të forta ambientet e këtij komisariati. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë të rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.