Presidenti i Federatës Greke të Basketbollit arrestohet për trukime në ndeshjet e ligës
Presidenti i Federatës Greke të Basketbollit, Vangjelis Liolios, u arrestua në Athinë për trukime në ndeshjet e ligës. Bashkë me të, 3 gjyqtarë, një kryegjyqtar, një basketbollist dhe një biznesmen janë vënë në pranga.

Presidenti i federatës greke të basketbollit Vangjelis Liolios u arrestua mesditën e së mërkurës në Athinë. Sipas informacioneve të deritanishme, Liolis u arrestua nën akuzën e trukimit të ndeshjeve. Bashkë me të janë vënë në pranga edhe 3 gjyqtarë, një kryegjyqtar, një basketbollist dhe një biznesmen. Emrat e përsonave të arrestuar për momentin nuk bëhen publik. Burime policore thanë se ka qenë Prokuroria e Athinës që ka lëshuar urdhër arrestet dhe në vazhdim janë kryer kontrolle banesash dhe ambientesh në të cilat janë gjetur edhe prova bindëse si dhe shuma parash të përfituar nga trukimi i ndeshjeve. Është folur shpesh për trukime në ndeshjet e kampionatit grek të basketbollit dhe pak ditë më parë ka qenë presidenti i ekipit të Panathinaikos që deklaroi se situata në ligën e basketbollit në vend është alarmante duke bërë publike edhe dyshimet konkrete. Kjo ka mjaftuar që prokuroria të nisë hetimet të cilat u konkretizuan me arrestimet e orëve të fundit.