Putin bindet për bisedime trepalëshe për fundin e luftës në Ukrainë
Presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord për rifillimin e negociatave trepalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën për të dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord në parim për rifillimin e negociatave trepalëshe mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, me synimin për t’i dhënë fund luftës. Lajmi u bë i ditur nga këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, pas takimit në Shën Petersburg mes Putinit dhe të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff.
Sipas Ushakovit, bisedimet mund të rifillojnë pas datës 10 nëntor dhe do të përqendrohen te krijimi i një sistemi sigurie për Rusinë dhe Ukrainën pas përfundimit të konfliktit. Takimi vjen në një kohë kur Trump po shton presionin ndaj Kievit për të arritur një marrëveshje me Moskën.
Ne një prononcim për Fox News, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina është e gatshme të ngrije konfliktin përreth vijës aktuale të frontit dhe të kaloje në negociata diplomatike si pjesë e përvojës për të dhënë fund luftës me Rusinë.
Takimi mes Putinit dhe Witkoffit zgjati rreth tri orë. Në të morën pjesë edhe këshilltari Ushakov dhe i dërguari i posaçëm rus Kirill Dmitriev, ndërsa Jared Kushner, dhëndri i presidentit Trump, u përfshi përmes një lidhjeje video.
Para takimit, Witkoff deklaroi se negociatat kanë fituar njëfarë vrulli. Ai falënderoi gjithashtu Putinin për heqjen e ndalimit rus për eksportin e naftës dizel, duke thënë se kjo masë mund të ndihmojë në uljen e kostove për fermerët dhe transportuesit amerikanë.
Gjatë së mërkurës, Rusia liroi edhe shtetasin amerikan Stephen Hubbard, një mësues në pension që ishte burgosur me akuzën e luftimit si mercenar në Ukrainë. Sipas Witkoffit, lirimi erdhi pasi Trump i kishte kërkuar Putinit lirimin e shtetasit Amerikan.
Witkoff pritet të kthehet në Oslo aty ku u takua me Zelenskyn dhe lideret e Finlandes dhe Norvegjise për të diskutuar më tej mbi vizitën e tij në Rusi. Zelensky ndodhet gjithashtu në kryeqytetin norvegjez ku ka zhvilluar bisedime me aleatet europiane.
Në qendër të bisedimeve të fundit janë garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën, statusi i territoreve të pushtuara, rindërtimi pas luftës dhe mundësia e një armëpushimi.