Spajić dhe Merz do të hapin Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, dhe kancelari federal gjerman, Friedrich Merz, do të hapin Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit në Miloçer, më 22 tetor.

Nesër, më 22 tetor, Mali i Zi do të presë Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, duke shënuar përfundimin e presidencës së vendit për këtë nismë të rëndësishme gjatë këtij viti. Në kuadër të programit të presidencës, janë zhvilluar 26 aktivitete, 14 prej të cilave në nivel ministror. Ky është numri më i lartë i aktiviteteve të organizuara gjatë një presidencë të vetme në historinë e Procesit të Berlinit.
Programi përfshiu takime ministrore kushtuar çështjeve të jashtme dhe të brendshme, ekonomisë, bujqësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe fushave të tjera me rëndësi për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Përveç takimeve politike të nivelit të lartë, u zhvilluan edhe një sërë aktivitetesh shoqëruese, që bashkuan përfaqësues të komuniteteve akademike dhe shkencore, shoqërisë civile, sektorit të biznesit, medias dhe të rinjve. Këto aktivitetet forcuan më tej gjithëpërfshirjen e Procesit të Berlinit dhe krijuan mundësi për një dialog më të gjerë publik mbi të ardhmen e rajonit.
Aktiviteti përmbyllës i presidencës malazeze, Samiti i Liderëve që do të mbahet nesër në Miloçer, do të hapet nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, dhe kancelari federal gjerman, Friedrich Merz. Në samit do të marrin pjesë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të organizatave ndërkombëtare. Pjesë e samitit do të jetë edhe komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.