Rama: Gati të flasim ballë për ballë, dhuna armike e lirisë
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në të cilën i përgjigjet pyetjeve të një studenti protestues. Rama e cilëson dhunën si armike e lirisë dhe shprehet se është i gatshëm të dialogojë me këdo që ka qëndrime të kundërta me të.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në të cilën i përgjigjet pyetjeve të një studenti protestues. Në përgjigjet e tij, Rama e cilëson dhunën si armike e lirisë dhe shprehet se është i gatshëm të dialogojë me këdo që ka qëndrime të kundërta me të.
Rama mbron reagimin e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, duke argumentuar se përdorimi i gazit lotsjellës, ujit dhe mjeteve të tjera ishte reagim ndaj gurëve, molotovëve dhe mjeteve të tjera të përdorura kundër efektivëve.
Studenti: Zoti kryeministër, me kë doni të dialogoni?
Rama: Dua dialog me këdo që beson se unë jam i keq, po ama dhuna është një armik i lirisë së të gjithëve.
Studenti: Me të rinjtë që policia i qëlloi me plumb gome dhe i mbyti me gaz lotsjellës, apo me studentët që i mbani me premtime që nga viti 2018?
Rama: Policia u qëllua me gurë dhe me zjarr, e me lloj-lloj saçmesh e vidash me llastiqe, nga ato primitive, dhe reagoi me gaz lotsjellës dhe me ujë. E në ndonjë rast edhe me shkop dhe me plumb gome. Mjete të çdo policie në çdo vend demokratik.
Rama shprehet se është i gatshëm të dialogojë me këdo që ka qëndrime të kundërta me të dhe se është gati të bëjmë bilancin e zotimeve të vitit 2018, ballë për ballë dhe me fakte, jo me retorikë.
Studenti: Mos ndoshta tani u kujtuat që të flisnit për flamingot?
Rama: Unë nuk u kujtova tani të flas për flamingot. Jo, kam bërë dhe publikuar një reflektim të tërë, pasi i kam ndjekur, dëgjuar, analizuar, dhe flas për ata të qershorit, se ata ishin për mua flamingot.
Rama: Lexoje pak datën e këtij inserti të shkurtër.
Rama – sinkron: Për djemtë dhe të rinjtë që besojnë vërtet se po bëjnë një revolucion, unë kam vetëm simpati dhe jam gjithnjë gati të flas nëse ata duan të flasin. Por mbetem plotësisht mirëkuptues, ndërsa ata s’duan të flasin.
Rama: Ka disa të tillë, ndërkohë që për katër muaj i kam dëgjuar më shumë se kushdo. Unë atje lart në zyrë, ata poshtë dritares. “O në burg, o në litar” fillonte puna ime në mëngjes me disa që rrinin atje te cepi i bulevardit dhe ulërinin, e mbyllnin në mbrëmje me “burg” e me “poshtë komunizmi”, e me plot bejte, përvetime e kërcënime.
Studenti: Dhe përsëri ju nuk e lini arrogancën mënjanë. Prapë përpiqeni të na thyeni inteligjencën, sikur ne nuk dimë të argumentojmë.
Rama: Arrogancë është të thuash: “Populli nuk është ai që të votojë ty, po jemi ne poshtë dritares tënde dhe do të marrim peng Tiranën po nuk e braktise detyrën”, pavarësisht se ke kontratë me shumicën e popullit shqiptar.
Studenti: A doni t’ju jap 420 mijë argumente të tjera, aq sa shqiptarë janë larguar që nga viti 2011?
Rama: Me kënaqësi, po. Duhet të m’i japësh 420 mijë argumente poshtë, sy më sy, ama edhe me durimin për të dëgjuar dhe jo vetëm me nxitimin për të folur e për të propaganduar.
Studenti: A doni të dini pse ne nuk kemi besim te dialogu juaj? Sepse na e treguat besën në vitin 2018, kur ju premtuat studentëve pesëpërqindëshin, që edhe sot e keni pa paguar faturën.
Rama: Kështu thoni ju, por lexojeni Paktin për Universitetin, që ishte dokumenti që e kurorëzoi atë protestë studentore, dhe mos ngatërroni kërkesat e shumta që u hodhën lart e poshtë asokohe me zotimet e qarta dhe të shkruara që mori qeveria.
Studenti: Ne nuk i urrejmë policët.