Pedagogu: Nuk të gjithë studentët duan të protestojnë, disa zgjedhin auditorët
Pedagogu Mariglen Kasmi ka thënë se lista e firmave të pedagogëve në mbështetje të protestës nuk përfaqëson të gjithë mësimdhënësit, por vetëm një pjesë të tyre.

Pedagogu Mariglen Kasmi, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka komentuar peticionin e pedagogëve në mbështetje të protestës, duke deklaruar se firmëtarët nuk mund të konsiderohen përfaqësues të të gjithë trupës akademike në Shqipëri.
Sipas tij, mënyra se si u prezantua lista krijoi përshtypjen se profesorët në tërësi ishin rreshtuar në mbështetje të protestës, ndërsa vëmendja po largohet nga arsyet që i kanë nxjerrë studentët në shesh.
Ai foli edhe për mundësinë e një greve nga sindikata, duke theksuar se duhet të ndiqen procedurat përkatëse dhe të njoftohen drejtuesit e universiteteve. Sipas tij, rektorët kanë përgjegjësi për programin mësimor dhe, për këtë arsye, çdo veprim që prek zhvillimin e mësimit duhet të trajtohet në përputhje me procedurat institucionale.
Kasmi theksoi gjithashtu se jo të gjithë studentët e shohin protestën si mënyrën e tyre të përfaqësimit dhe se disa prej tyre mund të dëshirojnë të vijojnë normalisht procesin mësimor.
“Lista u shit si sikur profesorët janë pro protestë. Mijë apo dy mijë të tillë nuk përfaqësojnë të gjithë mësimdhënësit. U mundua të shitej si te tillë se u ngritën akademikët dhe po na mbështesin dhe më pas erdhi peticioni. Sindikata mund të dalë në grevë, por duhet të bëjë disa veprime të njoftojë drejtuesit e Universitetit, sepse përgjegjës për programin mësimor janë rektorët dhe ky veprim nuk ka ndodhur. Unë student sot, dua të shkoj në mësim se nuk e shikoj veten në protestë. Tani 200 veta , 2 mijë veta dalin në shesh dhe 5 mijë veta mund të shkojnë të ulen në auditor dhe këtu vijmë te momenti i bullizimit për pedagogët. Dhe jam shumë kurioz se di vazhdojë”, shtoi ai.