EPP: Të hetohet përdorimi i forcës së tepruar në Shqipëri
Partia Popullore Evropiane (EPP) ka reaguar për situatën e protestave në Shqipëri, duke theksuar që e drejta për protestë paqësore duhet të respektohet dhe çdo pretendim për përdorim të forcës së tepruar duhet të hetohet.

Partia Popullore Evropiane (EPP), familja më e madhe politike në Bashkimin Evropian, ka reaguar publikisht lidhur me situatën alarmante dhe protestat që po zhvillohen në Shqipëri. Përmes një deklarate zyrtare, EPP thekson se e drejta për të protestuar paqësisht duhet të respektohet plotësisht dhe se çdo pretendim për përdorim të forcës së tepruar duhet të hetohet me organet e zbatimit të ligjit që duhet të veprojnë në çdo kohë në mënyrë proporcionale.
EPP thekson se zgjidhja e tensioneve aktuale në vend nuk mund të bëhet përmes represionit apo dhunës shtetërore, por përmes de-përshkallëzimit dhe angazhimit demokratik. "Tensionet aktuale duhet të trajtohen përmes dialogut, de-përshkallëzimit dhe angazhimit demokratik. Demokracia nuk është imponim i ndryshimit përmes dhunës. Demokracia ka të bëjë me dëgjimin, respektimin dhe ndërtimin e një të ardhmeje në paqe."
Në përmbyllje të qëndrimit të saj, Partia Popullore Evropiane nëvizoi se e ardhmja e Shqipërisë qëndron te garantimi i institucioneve llogaridhënëse dhe funksionimi i drejtësisë. "E ardhmja e Shqipërisë qëndron në një rrugë demokratike, prosperuese dhe evropiane, me një qeveri llogaridhënëse, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe një të ardhme me mundësi brenda vendit." Ky reagim i fuqishëm nga Brukseli përforcon thirrjet ndërkombëtare për ndalimin e dhunës ndaj protestuesve dhe të rinjve në Tiranë, duke e vënë ekzekutivin nën trysni të drejtpërdrejtë për respektimin e normave evropiane.