Cristiano Ronaldo nis kontaktet me Milanin, çfarë e shtyu CR7 drejt kësaj tentative të bujshme
Cristiano Ronaldo është në kontakt me Milanin për të blerë 20% të aksioneve të klubit saudit Al-Nassr, duke kaluar nga roli i futbollistit në atë të pronarit. Kjo nuk do të ishte lëvizja e parë e Ronaldos në pronësinë e klubeve të futbollit.

Cristiano Ronaldo nuk synon të jetë vetëm futbollisti më i njohur i Al-Nassr, por edhe një nga pronarët e klubit. Në këtë operacion financiar është përfshirë "RedBird Capital Partners", kompania amerikane që zotëron Milanin dhe që po negocion blerjen e shumicës së aksioneve të Al-Nassr.
Sipas raportimeve të "FootballTransfers" dhe "Semafor", përfaqësuesit e "RedBird" kanë zhvilluar të paktë dy takime me fondin sovran saudit PIF, i cili kontrollon klubin. Objektivi është blerja e 70% të aksioneve për një shumë që përllogaritet në rreth 267 milionë dollarë.
Megjithatë, palët ndodhen ende në fazën fillestare të negociatave dhe deri tani nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare. Pjesa e këtij projekti pritet të bëhet edhe Cristiano Ronaldo. Sulmuesi portugez mund të marrë 20% të aksioneve të Al-Nassr përmes kompanisë së tij CR7 "Sports Investments", duke kaluar nga roli i futbollistit në atë të bashkëpronarit.
Kjo nuk do të ishte lëvizja e parë e Ronaldos në pronësinë e klubeve të futbollit. Portugezi ka blerë së fundmi 25% të aksioneve të klubit spanjoll Almería, duke zgjeruar investimet e tij jashtë fushës së lojës.
Ndërkohë, fondi saudit PIF po punon për të shlyer rreth 213 milionë dollarë detyrime financiare të Al-Nassr, një operacion që synon të lehtësojë shitjen e klubit dhe hyrjen e investitorëve privatë.
Pas Al-Hilal, Al-Nassr mund të jetë klubi i radhës që kalon drejt pronësisë private, në kuader të strategjisë së Arabisë Saudite për të ulur varësinë e klubeve nga financimet shtetërore.
Nëse negociatat përfundojnë me sukses, "RedBird" do të marrë kontrollin e Al-Nassr, ndërsa Ronaldo do të sigurojë një pjesë të pronësisë së klubit ku vazhdon karrierën si futbollist. Për momentin, shifrat dhe ndarja e aksioneve mbeten pjesë e një projekti që burimet e cituara e raportojnë si negociata, jo si marrëveshje të mbyllur.