Bayerni dhe Arsenali ndajnë pikët në një përballje gjigantësh në Mynih
Bayerni dhe Arsenali kanë barazuar 2-2 në një përballje të shpejtë dhe emocionuese në Mynih.

Bayerni dhe Arsenali kanë dhuruar një përballje spektakolare në “Allianz Arena”, duke u ndarë në barazim 2-2. Sfida u karakterizua nga ritmi i lartë, rastet e shumta dhe emocionet deri në minutat e fundit.
Arsenali kaloi i pari në avantazh në minutën e 25-të me Eze. Fillimisht, goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas ndërhyrjes së VAR-it, u konfirmua si i rregullt, duke u dhënë londinezëve epërsinë 0-1.
Reagimi i Bayern Munich nuk vonoi. Në minutën e 35-të, Harry Kane dhuroi një asist të shkëlqyer për Alphonso Davies, i cili përballë Raya-s nuk gaboi, duke rikthyer baraspeshën në 1-1. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, bavarezët u treguan më kërkues dhe në minutën e 59-të fituan një penallti, pasi topi preku dorën e Timber në zonë. Dy minuta më vonë, Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke përmbysur rezultatin në 2-1 për skuadrën gjermane.
Arsenali nuk u dorëzua dhe vazhdoi të kërkonte golin e barazimit. Përpjekjet e skuadrës londineze u shpërblyen në minutën e 82-të, kur Gyokeres shërbeu në zonë për Declan Rice, i cili me një goditje të saktë me të djathtën mposhti Neuerin dhe vulosi rezultatin përfundimtar 2-2.
Kështu, Bayern Munich dhe Arsenal ndajnë nga një pikë pas një sfide plot emocione, ku të dyja skuadrat treguan forcën e tyre, ndërsa goli i Rice në minutat e fundit i mohoi bavarezëve fitoren në shtëpi.