Çmimet e shportës ushqimore ndryshojnë në supermarkete
Çmimet e shportës ushqimore ndryshojnë në supermarkete të ndryshme, duke përfshirë SPAR, Xhangolli dhe Conad. Shporta me 11 produkte bazë kushton 1,720 lekë te SPAR, 1,752 lekë te Xhangolli dhe 1,853 lekë te Conad.

Një krahasim i realizuar nga aplikacioni “Krahaso” tregon se çmimet e shportës ushqimore ndryshojnë në supermarkete të ndryshme. Shporta me 11 produkte bazë kushton 1,720 lekë te SPAR, 1,752 lekë te Xhangolli dhe 1,853 lekë te Conad. Diferenca mes shportës më të lirë dhe asaj më të shtrenjtë arrin në 133 lekë apo 7.2%.
Shporta përfshin produkte të konsumit të përditshëm, si qumësht, vezë, miell, sheqer, vaj luledielli, makarona, kos dhe gjalpë. Në krahasim janë përfshirë të njëjtat marka produkteve, të njëjtas sasi për produktet e bulmetit krahasimi është bërë për të njëjtas përbajtje, sipas sasisë të përqindjes së yndyrës.
Diferencat më të madha të çmimeve vërehen te disa prej produkteve të markave të importit. Konkretisht, gjalpi i markës “Lurpak”, në paketimin 200 gramë, kushton 285 lekë te supermarketi “Xhangolli” dhe 335 lekë te “Conad”, me një diferencë prej 50 lekësh. Ndërsa makaronat Barilla nr. 5, në paketimin 500 gramë, kushtojnë 90 lekë te SPAR dhe 119 lekë te Conad.
Pavarësisht diferencave mes rrjetave tregtare, sipas të dhënave të publikuara nga “Krahaso”, vlera totale e shportës ka mbetur e pandryshuar krahasuar me javën e mëparshme në të trea supermarketet. Po ashtu, asnjë nga 11 produktet e përfshira në krahasim nuk rezulton të ketë ndryshuar çmim gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, Big Market dhe Extramarket raportojnë në Pasqyrën e Çmimeve çmime për një numër të kufizuar produkteve nga shporta e përzgjedhur. Te Big Market, sheqeri Ferra Classic kushton 75 lekë, ndërsa vaji i lulediellit Floriol 219 lekë. Te Extramarket, vezët Aiba, paketa me 10 copë, kushtojnë 180 lekë, ndërsa vaji i lulediellit Floriol 199 lekë.
“Krahaso” sqaron se çmimet e përdorura në këtë krahasim janë ato që vetë rrjetet tregtare raportojnë në Pasqyrën e Çmimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe nuk janë matje të kryera drejtpërdrejt në dyqane nga aplikacioni. Sipas metodologjisë së platformës, çmimet e rrjetit publikohen kur vlejnë në të paktën 80% të dyqaneve të tij, ndërsa në pikë të vëçantë shitjeje mund të ketë ndryshime.
Publikimi i çmimeve të mallrave ushqimore në platformën qeveritare “psqayra e çmimeve” nisi në mesin e muajit tetor. Në platformë janë pasqyruar çmimet e 238 produkteve nga 5 rrjete supermarketesh: Big Market, Conad, Extramarket, Spar dhe Xhangolli, për një total prej 155 dyqanesh, nga të cilat 109 ndodhen në Tiranë.