Reshjet e shiut shkaktuan përmbytje në Vlorë
Reshjet e shiut në Vlorë kanë shkaktuar përmbytje në disa lagje dhe rrugë të qytetit, duke vështirësuar qarkullimin.

Reshjet e shiut të dendur që filluan rreth mesnatës dhe zgjatën për afro dy orë kanë shkaktuar përmbytje në disa lagje dhe rrugë të qytetit të Vlorës. Prania e ujit në rrugë ka vështirësuar qarkullimin, ndërsa pamjet e regjistruara gjatë natës tregojnë edhe turistë të huaj që janë futur në ujërat e grumbulluara në rrugë, duke luajtur mes tyre. Punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë punuar gjatë gjithë natës për largimin e ujit nga zonat e prekura. Falë ndërhyrjes së tyre, në orët e paradites së sotme uji është tërhequr nga rrugët, ndërsa qarkullimi për automjetet dhe qytetarët në zonat e prekura është normalizuar.