Stemat false të policisë nuk u porositën pas protestës studentore
Video që pretendonte se tregon policinë që porosin stema dhe numra të rremë për efektivët e saj, në realitet është një pjesë e një investigimi të emisionit "Stop" në RTV Klan.

Ndërsa protestat studentore në Shqipëri dhe përplasja e ashpër me policinë ka hyrë në ditën e tetë, një video që ka qarkulluar gjerësisht në media dhe rrjete sociale shqipfolëse pretendohet se tregon se Policia po porosit numra dhe stema false në uniforma për efektivët e saj. Ky lajm ka shkaktuar reagime të shumta për rrezikun e fshehjes së identitetit të policëve që marrin pjesë në përplasjet e dhunshme me studentët dhe të rinjtë e tjerë në protesta. Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon ndonjë efektiv apo drejtues policie duke porositur numra të rremë për policët. Ajo është pjesë e një investigimi me kamera të fshehta organizuar nga emisioni investigativ “Stop” në RTV Klan dhe transmetuar më 24 shtator 2026. Kamera e fshehtë shënjestronte një qëndistare në qytetin e Fierit që reklamonte në rrjete sociale prodhimin dhe shitjen e elementeve të uniformave të Policisë së Shtetit, përfshirë bluza, pantallona, kapele, stema, grada, numra identifikimi, apo spaleta në rrjete sociale. Stop” iu drejtua subjektit me kamera të fshehtë dhe porositi dy kostume të plota policie. Porosia përfshinte kapele, bluza, pantallona, stema të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Rendit, numra identifikimi dhe grada “komisar.” Dy kostume policie të kompletuara u porositën dhe u morën, pa paraqitur identifikim si punonjës policie dhe pa autorizim. Kostoja totale e porosisë shkoi rreth 140 mijë lekë, duke përfshirë uniformat dhe elementet identifikuese. Emisioni denoncoi shqetësimin e keqpërdorimit të simboleve të policisë nga keqbërës. Pra, personi që porosit uniformat në video nuk është i lidhur me Policinë, por është bashkëpuntor i emisionit Stop, që ka organizuar dhe kamerën e fshehtë përpara nisjes së protestave.