Kos: Muajt në vijim do të jenë vendimtarë për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria të ruajë ritmin e reformave
Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në BE dhe ka thënë se javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në Budva të Malit të Zi, Kos ka theksuar se secili prej vendeve të rajonit përballet me sfida dhe objektiva të rëndësishme në rrugën drejt integrimit evropian. Ajo ka vlerësuar se Mali i Zi është vendi që ka shënuar përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa faza e ardhshme do të jetë vendimtare për përmbylljen e negociatave dhe avancimin drejt anëtarësimit.
Sipas saj, javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për të gjithë ne. Për Malin e Zi, momenti vendimtar do të jetë kalimi i vijës së finishit në procesin e anëtarësimit. Sa i përket Shqipërisë, Kos bëri thirrje për ruajtjen e ritmit të reformave dhe vijimin e progresit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ky është vendi që kam vizituar më shumë se çdo vend tjetër gjatë këtij viti, gjë që është e natyrshme, pasi Mali i Zi është vendi që po përparon më shumë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jam gjithmonë i lumtur të rikthehem për të parë nga afër se si po ecën përpara një vend që është i vendosur të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Kos.
Ajo shtoi se për Shqipërinë, ruajtja e ritmit në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të jetë e rëndësishme në muajt në vijim. “Javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për të gjithë ne. Për Malin e Zi, momenti vendimtar do të jetë kalimi i vijës së finishit në procesin e anëtarësimit. Për Serbinë, zgjedhjet e së dielës së ardhshme. Për Shqipërinë, ruajtja e ritmit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Dhe, sigurisht, për Kosovën, zgjedhja vendimtare është të vazhdojë të ecë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe shtetin e së drejtës”, tha Kos.
Kos tha se është shumë pozitive që udhëheqësit e rajonit dhe të gjithë Procesit të Berlinit janë mbledhur sot në këtë vend të bukur, Malin e Zi.