Aktualitet

Nikoleta Mita: Sinergjia e revoltës

4 min leximPublikuar më

Burimi: BalkanWeb ·

Pedagogët shprehin mbështetjen për studentët nëpërmjet sinergjisë së revoltës, duke u bërë një faktor për zgjidhjen e krizës në vend. Ata nuk janë vetëm transmetues të dijes, por mentorë të ndërgjegjes qytetare.

Foto nga burimi: Nikoleta Mita: Sinergjia e revoltës

Duke qenë se shoqëria shqiptare është në krizë, universiteti po lëviz nga auditori në shesh dhe pedagogë e studentë po krijojnë një sinergji të revoltës, që nuk nënkupton thjesht daljen në rrugë për të kundërshtuar diçka, por edhe refuzimin e një gjendjeje të perceptuar si të padrejtë, thyenjen e apatisë dhe lindjen e një vetëdijeje kolektive.

Mbështetja e pedagogëve për studentët buron nga roli i tyre profesional si pjesëtarë të komunitetit akademik dhe lidhet ngushtë me lirinë akademike, përgjegjësinë qytetare dhe funksionimin demokratik të institucioneve arsimore. Për ta kuptuar këtë mbështetje, duhet të shqyrtojmë jo vetëm arsyet që e motivojnë atë, por edhe mënyrën se si ushtrohet dhe pasojat që mund të prodhojë.

Mbështetja si shprehje e përgjegjësisë akademike Pedagogët kanë një rol të rëndësishëm në formimin e mendimit kritik, në zhvillimin e përgjegjësisë qytetare dhe në aftësimin e studentëve për t’u kërkuar llogari institucioneve. Në këtë kuptim, mbështetja e tyre është, para së gjithash, një përgjegjësi profesionale. Ajo shprehet përmes dëgjimit serioz të shqetësimeve dhe kërkesave të studentëve, mbrojtjes së të drejtës së tyre për t’u shprehur dhe organizuar, nxitjes së debatit të lirë e të argumentuar dhe ndihmës për t’i shndërruar pakënaqësitë në kërkesa konkrete e të argumentuara.

Mbështetja si shprehje e përgjegjësisë institucionale Duke reaguar ndaj problemeve të ngritura nga studentët, pedagogët kontribuojnë në evidentimin e mangësive të sistemit të arsimit të lartë dhe në kërkimin e zgjidhjeve që mundësojnë një arsim më cilësor. Ky kontribut nuk kufizohet vetëm në shprehjen e solidaritetit. Ai përfshin analizën e kërkesave të studentëve, vlerësimin kritik të problemeve, hartimin e propozimeve dhe paraqitjen e argumenteve të mbështetura në njohuri profesionale e shkencore për përmirësimin e arsimit.

Mbështetja si shprehje e qytetarisë aktive dhe të përgjegjshme Pedagogët janë njëkohësisht pjesëtarë të komunitetit akademik dhe qytetarë, të cilët kanë të drejtën dhe përgjegjësinë të marrin pjesë në debatin publik. Përmes mbështetjes së tyre, ata kontribuojnë në diskutimin e problemeve shoqërore, paraqesin qëndrime kritike e të pavarura dhe propozojnë zgjidhje konkrete. Mbështetja e kërkesave të argumentuara të studentëve nuk nënkupton heqjen dorë nga gjykimi kritik. Përkundrazi, qytetaria e përgjegjshme kërkon që solidariteti të shoqërohet me respektimin e të drejtave të njeriut, të dinjitetit të çdo individi dhe të pronës publike e private.

Aktualisht, pedagogët nuk po shprehin vetëm mbështetjen për studentët, por po bashkëveprojnë me ata duke luajtur rolin e qytetarit aktiv, duke u bërë faktor për zgjidhjen e krizës në vend. Pedagogët nuk janë thjesht transmetues të dijes, por mentorë të ndërgjegjes qytetare. Kur profesorati bashkohet me studentët, revolta pushon së qeni thjesht një revoltë rinore dhe kthehet në një revoltë legjitime mbarëshoqërore.

Si shprehet konkretisht mbështetja dhe aktivizmi i pedagogëve? Pedagogët po i përmbushin këto role përmes formave të ndryshme të angazhimit të drejtpërdrejtë: pjesëmarrjes në tubime, nënshkrimit të deklaratave, shprehjes publike të solidaritetit, përfshirjes në diskutimin e kërkesave dhe të zgjidhjeve të mundshme si dhe të bojkotit të mësimit. Këto forma angazhimi tregojnë se mbështetja akademike nuk është domosdoshmërisht vetëm një qëndrim simbolik. Ajo po shndërrohet në një kontribut konkret në debatin publik dhe në përpjekjet për të adresuar problemet e ngritura nga studentët.

Çfarë shpreh deklarata e pedagogëve e datës 19 tetor 2026 dhe shpallja e bojkotit të mësimit nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë? Deklarata e pedagogëve mund të analizohet në disa dimensione të ndërthurura. Solidariteti akademik. Duke i konsideruar studentët si një grup që duhet dëgjuar, deklarata mbron të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes, organizimin dhe mospajtimin. Përgjegjësia qytetare. Përmes kërkesës për respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pronës, ajo thekson nevojën që protesta dhe reagimi ndaj saj të respektojnë të drejtat dhe dinjitetin e të gjithëve. Përgjegjësia institucionale. Duke iu drejtuar kryeministrit dhe policisë, deklarata i kërkon që të respektojnë të drejtën e studentëve për të organizuar protesta dhe të mos i pengojnë atyre të marrin pjesë në debatin publik.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.