Protestat nuk ndalin koleksionistët, Art Basel Paris mbush kryeqytetin francez me vepra arti dhe shitje milionëshe
Panairi ndërkombëtar i artit bashkëkohor Art Basel Paris është një event i madh në kryeqytetin francez, që sjell vepra të rëndësishme të artit dhe transaksione me vlera të larta. Pavarësisht tensioneve sociale dhe protestave të ditëve të fundit në Paris, panairi ka tërhequr një numër të madh koleksionistësh dhe këshilltarësh të artit nga e gjithë bota.

Pavarësisht tensioneve sociale dhe protestave të ditëve të fundit në Paris, panairi ndërkombëtar i artit bashkëkohor Art Basel Paris ka tërhequr një numër të madh koleksionistësh dhe këshilltarësh të artit nga e gjithë bota. Ngjarja, që po zhvillohet në Grand Palais dhe do të vazhdojë deri më 25 tetor, ka sjellë në kryeqytetin francez vepra të rëndësishme të artit dhe transaksione me vlera të larta.
Panairi këtë vit zhvillohet në një atmosferë të pazakontë, pasi Parisi është përballuar me protesta, përplasje dhe dëmtime pronash. Pavarësisht shqetësimeve se situata mund t'i largonte blerësitë e huaj, ditët e para të aktivitetit kanë dëshmuar një interes të fortë nga koleksionistët ndërkombëtarë.
Sipas përditshmes franceze Le Monde, disa prej galerive kanë raportuar shitje të kënaqshme që në ditët e para. Galeria e Nathalie Obadia kishte shitur më shumë se 20 vepra që pasditen e së martëm, ndërsa tregtari zviceran Iwan Wirth njoftoi shitjen e dy pikturave të Gerhard Richter dhe Georg Baselitz, secila me vlerë rreth 10 milionë euro.
Një prej prezantimeve që ka tërhequr vëmendjen është ekspozimi i galerisë së Christophe Gaillard, ku spikat një telajo e rrudhur e artistit amerikan Steven Parrino dhe një kosh mbeturinash i djegur, vepër e Anita Molinero. Këto punime marrin një domethënije të veçantë në kontekstin e tensioneve sociale që kanë përfshirë Francën.
Mes veprave të ekspozuara është edhe puna e artistes Tania Mouraud, e njohur për krijimet me karakter aktivist, si dhe dokumentimi i ndërhyrjeve artistike të kolektivit kilian C.A.D.A., i cili sfidoi diktaturën e Augusto Pinochetit përmes artit në hapësirat publike.
Për herë të parë, panairi përfshin edhe artin e rrugës, me piktura të realizuara me boje sprej nga artisti Futura, të ekspozuara në galerinë Magda Danysz.
Koleksionistët kanë pasur mundësinë të shohin edhe vepra të artistes braziliane Tarsila do Amaral, përfshirë një pikturë me vlerë të deklaruar prej 27 milionë dollarësh, si dhe punime të Vera Molnar, Hilla Rebay dhe artistëve të tjerë që kanë lënë gjurmë në historinë e artit modern dhe bashkëkohor.
Një treg luksoz në kontrast me tensionet sociale
Pavarësisht suksesit të panairit, kontrasti mes botës së artit dhe problemave sociale në Francë ka nxitur debate. Ndërsa koleksionistët dhe galeritë realizojnë marrëveshje me vlera të larta, një pjesë e shoqërisë franceze vijon të shprehë pakënaqësi për koston e jetës dhe kushtet në sistemin arsimor.
Disa koleksionistë evropianë kanë anuluar udhëtimet e tyre, ndërsa pjesëmarrja amerikane duket se është ruajtur kryesisht nga ata që i kishin planifikuar vizitat prej kohësh. Organizatorët kanë forcuar masat e sigurisë në Grand Palais, përfshirë vendosjen e barrierave dhe shtimin e personelit përreth godinës.
Art Basel Paris pritet të vazhdojë deri të dielën, më 25 tetor, ndërsa një tjetër ditë protestash është paralajmëruar për të shtunën. Kjo ka shtuar shqetësimet e disa ekspozuesve për mundësinë e mbylljes së përkohshme të panairit, në një javë që konsiderohet vendimtare për tregun e artit.
Përtej shitjeve dhe emrave të medhenj, aktiviteti ka nxjerrë në pah një kontrast të fortë: ndërsa arti vazhdon të terheqë investime dhe interes ndërkombëtar, tensionet shoqërore mbeten të pranishme dhe ndikojnë në mënyrën se si publiku e percepton këtë botë luksoze.