Biletat drejt fundit, konfirmohet rregullorja e rallë për ndeshjen Shqipëri-Finlandë
Shqipëria do të përballet me Finlandën më 12 nëntor në stadiumin "Air Albania", ndeshje e vlefshme për raundin e pestë të Grupit C1 të Ligës së Kombeve.

Shqipëria do të përballet me Finlandën më 12 nëntor në stadiumin "Air Albania", ndeshje e vlefshme për raundin e pestë të Grupit C1 të Ligës së Kombeve. Interesi për këtë ndeshje ka qenë i lartë, ndërsa deri tani janë shitur mbi 15 mijë bileta. Megjithatë, një informacion i ri ndryshon raportimet e mëparshme se të gjitha tribunat do të mbusheshin vetëm me tifozët kuqezinj.
Sipas "Panorama Sport", organizatorët kanë rezervuar 5% të kapacitetit të stadiumit për tifozët e Finlandës, siç përcakton rregullorja. Bëhet fjalë konkretisht për sektorët V201 dhe V202, ku të drejën e blerjes së biletave do ta kenë vetëm mbështetësit e skuadrës mike.
Edhe pse këta sektorë shfaqen në platformën e shitjes online, tifozët shqiptarë nuk mund të blejnë bileta për to. Kjo rrëzon informacionin e publikuar tri ditë më parë, sipas të cilit stadiumi do të ishte tërësisht në dispozicion të kuqezinjve.
Ndërkohë, shitja e biletave vijon dhe organizatorët presin që stadiumi të mbushet plotësisht për sfidën e 12 nëntorit.