Erkand Qerimaj tërhiqet nga Kampionati Botëror: "Kërkoj ndërhyrje urgjente institucionale"
Peshëngritësi i njohur shqiptar, Erkand Qerimaj, ka njoftuar tërheqjen e tij nga Kampionati Botëror për Lojërat Olimpike, pasi drejtuesi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka vendosur që ai të garojë pa asnjë trajner në krah.

Peshëngritësi i njohur shqiptar, Erkand Qerimaj, ka njoftuar tërheqjen e tij nga Kampionati Botëror për Lojërat Olimpike. Në një deklaratë publike në mediat sociale, Qerimaj bën me dije se ky vendim vjen pasi drejtuesi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka vendosur që ai të garojë pa asnjë trajner në krah.
Qerimaj ka bërë thirrje urgjente Ministrisë së Sportit dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar që të ndërhyjnë menjëherë për të zgjidhur këtë situatë dhe për të kërkuar llogaridhënie. Sportisti thekson se heshtja apo deklaratat formale nga institucionet nuk mjaftojnë më, por kërkohen veprime konkrete.
"Kërkoj ndërhyrje të menjëhershme institucionale!" thotë Qerimaj në deklaratën e tij. "Nuk mjaftojnë heshtja apo deklaratat formale; kërkohen veprime konkrete dhe llogaridhënie institucionale."
Qerimaj thekson se Federata e Peshëngritjes nuk është pronë private e askujt dhe se ajo nuk mund të drejtohet sipas interesave personale. Ai thekson se fondet publike duhet të shërbejnë për mbështetjen e sportistëve dhe trajnerëve, jo për konflikte personale apo vendime që dëmtojnë përfaqësimin kombëtar.
Qerimaj ka bërë thirrje urgjente institucioneve përgjegjëse të veprojnë menjëherë, të shqyrtojnë këtë çështje, të garantojnë të drejtat e tij si sportist dhe të kërkojnë llogari për vendimet e marra.
"Nuk kërkoj privilegje, por drejtësi, barazi dhe respekt për sakrificën time sportive," thotë Qerimaj. "Nuk mund të pranohet që një sportist të detyrohet të heqë dorë nga një garë kualifikuese olimpike për shkak të vendimeve të drejtuesve të institucionit që duhet ta mbështesë."