Bamir Topi zbulon detajet të takimit të zhvilluar me Begaj, ambasadorët dhe ish-Presidentët
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka konfirmuar se ka marrë pjesë në një takim me Presidentin Bajram Begaj, ambasadorë të rëndësishëm të huaj dhe ish-Presidentin Rexhep Meidani. Topi ka theksuar se takimi ishte i rëndësishëm për të diskutuar situatën kritike në vend, e krijuar nga protestat e ditëve të fundit.

Ish-Presidenti Topi konfirmoi se takimi ishte zhvilluar me ftesë të Presidentit Begaj dhe se në qendër të diskutimeve kishte qenë situata kritike në vend, e krijuar nga protestat e ditëve të fundit. Ai theksoi se, sipas rregullave institucionale, është Presidenca ajo që duhet të informojë publikun për përmbajtjen e takimeve dhe jo pjesëmarrësit.
Gjatë intervistës, ai zbuloi gjithashtu se që prej marrjes së detyrës nga Bajram Begaj nuk kishte zhvilluar asnjë takim kokë më kokë me të, duke nënvizuar se Presidenti aktual nuk e kishte parë të arsyeshme një takim të tillë.
“Takim kokë më kokë unë me Presidentin Begaj nuk kam bërë asnjëherë. Që nga momenti që ai është futur në zyrë, nuk e ka parë të arsyeshme që të ketë takim, së paku me mua. Kështu që ka qenë kjo situatë”, deklaroi ish-kreu i shtetit.
Megjithatë, Topi theksoi se e kishte pranuar ftesën e Begajt për shkak të rëndësisë së situatës dhe përgjegjësisë që, sipas tij, buron nga përvoja e mëparshme në krye të shtetit.
“Ka qenë një ftesë e Presidentit Begaj. Patjetër që nuk mund t’i vendos kryq karrierës sime politike në raste të tilla dhe eksperiencës si kreu i shtetit. Njeriu duhet të jetë gjithnjë i pranishëm, mendoj. Në këtë kontekst kam respektuar një ftesë të institucionit dhe në këto parametra standardë kemi qenë”, tha Topi.