Hegseth dha autorizimin që të testohet në kufirin SHBA-Meksikë, çfarë është sistemi ‘rrezja e nxehtësisë’
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka autorizuar testimin e një sistemi të quajtur "rrezja e nxehtësisë" në kufirin jugor të SHBA-së.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth thuhet se nënshkroi një memorandum muajin e kaluar duke i lejuar Departamentit të Sigurisë Kombëtare, DHS të testojë një “rreze nxehtësie” jo-vdekjeprurëse në kufirin jugor të SHBA-së. “Rrezja e nxehtësisë”, e njohur si Sistemi Aktiv i Mohimit, është një armë e nivelit ushtarak që lëshon një rreze energjie duke shkaktuar “një ndjesi nxehtësie intensive në sipërfaqen e lëkurës”. Në një memo, të siguruar për herë të parë nga CNN, Hegseth autorizoi një “huazim të përkohshëm” të Sistemit të Mohimit Aktiv për DHS-në për shtatë muaj duke filluar nga shtatori. DHS mund të kërkojë përdorim të mëtejshëm të sistemit të Pentagonit nëse është e nevojshme. Një zëdhënës i Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare (CBP) tha në një deklaratë se po vlerësonte vazhdimisht teknologjinë e re, veçanërisht teknologjinë që mund të shpëtojë jetë, duke rritur njëkohësisht efektivitetin e sigurisë kombëtare. Nuk është e qartë se për çfarë saktësisht planifikon DHS ta përdorë Sistemin e Mohimit Aktiv, por memorandumi i lejon departamentit ta përdorë atë për operacione të mundshme në kufirin SHBA-Meksikë.